Shkup, 22.09.2026 – Rektori i Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup, Prof. Dr. Bekim Fetaji, ka pritur në një takim zyrtar kryetarin e Këshillit Kombëtar të Rinisë së Republikës së Shqipërisë, Z. Dashnor Veizaj.
Takimi kishte në fokus forcimin dhe zgjerimin e bashkëpunimit mes Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup dhe Këshillit Kombëtar të Rinisë të Shqipërisë, duke u ndalur te nxitja e bashkëpunimit ndërkombëtar të rinisë përmes përfshirjes së Këshillit Studentor të UNT-së.
Bashkëbisedimi u fokusua te konkretizimi i partneritetit akademik ndërmjet Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup dhe universiteteve shqiptare. Palët diskutuan mbi mekanizmat për zhvillimin e nismave ndëruniversitare, organizimin e garave akademike dhe olimpiadave mbarëstudentore, si dhe promovimin e aktiviteteve kulturoro-sportive. Gjithashtu, u vu theksi te rëndësia e projekteve të përbashkëta për shënimin e datave historike dhe kulturore.
Gjithashtu, një vëmendje e veçantë iu kushtua edhe pasurimit të bibliotekës së UNT-së përmes bashkëpunimit dhe asociimit me institucionet përkatëse në Shqipëri, në shërbim të ngritjes së cilësisë për studentët dhe rininë.
