Shkup, 05.11.2026 – Qendra e Karrierës e Universitetit “Nënë Tereza“ në Shkup, në bashkëpunim me World University Service of Germany (WUS), realizoi me sukses më 5 nëntor 2026 Punëtorinë për Aplikim dhe Zhvillim të Karrierës, në kuadër të programit Career Transition Support Programme for North Macedonia and Kosovo.
Gjatë kësaj punëtorie, studentët e UNT-së patën mundësinë të zhvillojnë dhe avancojnë aftësitë e tyre praktike për përgatitjen dhe aplikimin në tregun e punës, përmes aktiviteteve interaktive, shembujve konkretë dhe këshillave profesionale.
Trajnimi përfshiu disa nga aspektet më të rëndësishme të përgatitjes për punësim, si:
-Hartimi i një CV-je profesionale dhe konkurruese;
-Shkrimi i letrës së motivimit;
-Përgatitja dhe prezantimi i suksesshëm në intervista pune;
-Këshillimi praktik për aplikime dhe mundësi punësimi;
-Rrjetëzimi profesional dhe komunikimi me punëdhënësit.
Trajnues i punëtorisë ishte M-r. Ilir Idrizi, drejtor i Qendrës së Karrierës së UNT-së, i cili ndau me studentët njohuri, përvoja dhe rekomandime praktike për të rritur gatishmërinë e tyre për kalimin nga studimet në tregun e punës.
Përmes kësaj iniciative, studentët fituan njohuri dhe aftësi të rëndësishme për të ndërtuar aplikime më cilësore, për të prezantuar më mirë kompetencat e tyre dhe për t’u përballur me më shumë besim me sfidat dhe mundësitë e tregut të punës.
Qendra e Karrierës e UNT-së do të vazhdojë të organizojë aktivitete dhe programe të ngjashme, me qëllim fuqizimin profesional të studentëve dhe mbështetjen e tyre në ndërtimin e karrierës.
