Shkup, gusht 2025 – Stafit akademik të Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup i shtohet edhe një doktor shkencash. Në Fakultetin e Ndërtimtarisë pranë Universitetit “Shën Kirili dhe Metodi” në Shkup, Almir Rushiti nga Kumanova mbrojti me sukses disertacionin e doktoraturës me temë: “Metodologjia për vlerësimin e rrezikut nga zjarri në zonat urbane”, duke marrë titullin Doktor i Shkencave Teknike me vlerësim të shkëlqyeshëm.
Komisioni doktorial ishte në përbërje: prof. dr. Petar Cvetanovski (kryetar), Prof. Dr. Meri Cvetkovska (mentor dhe anëtare), Prof. Dr. Elena Dumova-Jovanoska (anëtare), Prof. Dr. Ana Trombeva Gavriloska (anëtare) dhe Prof. Dr. Mirjana Laban (anëtare e jashtme nga Universiteti i Novi Sadit).
Në këtë eveniment solemn morën pjesë familjarë, miq dhe kolegë, si dhe personalitete akademike, ndër ta: Prof. Dr. Goran Markovski, dekani i Fakultetit të Ndërtimtarisë, Prof. Dr. Bekim Fetaji, rektori i Universitetit “Nënë Tereza”, dhe Prof. Dr. Neritan Turkeshi, dekani i Fakultetit të Shkencave Teknike pranë UNT-së.
Dr. Rushiti është pedagog në Universitetin “Nënë Tereza” në Shkup, autor i shumë punimeve të botuara në revista shkencore ndërkombëtare dhe fitues i disa shpërblimeve, përfshirë çmimin “Shkencëtari i ri i vitit”.
Universiteti “Nënë Tereza” në Shkup shpreh krenarinë për këtë arritje të rëndësishme dhe pret kontributin e tij të mëtejshëm në zhvillimin akademik dhe shkencor.

