Shkup, 10.09.2025 – Rektori i Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup, Prof. Dr. Bekim Fetaji, priti në një takim pune kryetaren e Institutit për Lidership dhe Politika Publike, znj. Pranvera Kasami.
Gjatë takimit, rektori Fetaji theksoi rëndësinë e bashkëpunimeve strategjike dhe projekteve të përbashkëta të Universitetit “Nënë Tereza” me organizata të ndryshme, veçanërisht ato joqeveritare, të cilat kontribuojnë në zhvillimin akademik dhe shoqëror. Në këtë kuadër, u vu theks i veçantë në mundësitë e bashkëpunimit dhe projekteve ndërmjet universitetit tonë dhe Institutit për Lidership dhe Politika Publike, me qëllim forcimin e lidhjes ndërmjet arsimit të lartë dhe politikave publike.
Instituti për Lidership dhe Politika Publike – ILPP është një organizatë e pavarur kërkimore dhe zhvillimore, e themeluar me misionin për të fuqizuar të rinjtë, për të ndërtuar kapacitete lidershipi dhe për të kontribuar në zhvillimin e politikave publike të qëndrueshme. ILPP vepron si një urë lidhëse ndërmjet akademisë, shoqërisë civile, sektorit privat dhe institucioneve publike, duke ofruar hapësirë për dialog, bashkëpunim dhe projekte inovative që adresojnë sfidat sociale dhe ekonomike.
