Shkup, nëntor 2025 – Fakulteti i Shkencave Teknike pranë Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup, kryesuar nga dekani Prof. Inor. Dr. Neritan Turkeshi nënshkruan Memorandum Bashkëpunimi me kompaninë EKOFLUID, udhëhequr nga z. Besnik Ademi, ndërmarrje e licencuar dhe e specializuar në riciklimin e vajrave të përdorura nga amvisëritë dhe automjetet. Ky memorandum shënon një hap të rëndësishëm në drejtim të forcimit të lidhjes ndërmjet arsimit të lartë, sektorit industrial dhe praktikave të qëndrueshme mjedisore.
Memorandumi parasheh realizimin e aktiviteteve të përbashkëta akademike dhe profesionale, përfshirë, angazhimin e studentëve në vizita studimore dhe praktika profesionale, bashkëpunimin në projekte kërkimore dhe inovative, organizimin e trajnimeve dhe punëtorive tematike, promovimin e teknologjive bashkëkohore për riciklim dhe menaxhimin e mbetjeve.
Ky partneritet do të kontribuojë drejtpërdrejt në rritjen e përvojës praktike të studentëve, zhvillimin e kompetencave profesionale dhe përforcimin e praktikave ekologjike në rajon. Fakulteti i Shkencave Teknike në Universitetin “Nënë Tereza” në Shkup dhe kompania EKOFLUID shprehin angazhimin e tyre të përbashkët për të mbështetur zhvillimin e qëndrueshëm, inovacionin dhe zbatimin e standardeve të larta profesionale në fushën e inxhinierisë dhe mbrojtjes së mjedisit. EKOFLUID, si operator kolektiv dhe promotor i ekonomisë qarkulluese në vend, organizon grumbullimin, transportin dhe trajtimin e sigurt të vajrave të përdorura, duke zbatuar standarde të avancuara ekologjike.
Misioni i saj është reduktimi i ndikimit negativ të mbetjeve të vajrave në mjedis, promovimi i praktikave të përgjegjshme të menaxhimit të tyre dhe kontributi në krijimin e një të ardhmeje më të pastër, më të sigurt dhe më të qëndrueshme për shoqërinë.
