Shkup, 21.04.2026 – Universiteti “Nënë Tereza” në Shkup vijoi ciklin e takimeve informuese në Sh.M.Q.Sh “Saraj”, ku maturantët u njoftuan me ofertën akademike për vitin e ardhshëm akademik.
Përfaqësueset akademike nga UNT, Arita Sabriu Haxhijaha dhe Genta Spahija Mirzo, prezantuan tetë fakultetet e universitetit, duke vënë theksin te rëndësia e studimit në gjuhën amtare në zemër të kryeqytetit. Gjatë bashkëbisedimit, nxënësit morën informacione të detajuara mbi kriteret e regjistrimit, programet inovative, mundësitë e bursave dhe shkëmbimet ndërkombëtare përmes programit Erasmus+. Gjithashtu, u diskutua për kushtet moderne në kampusin e ri dhe lidhjen e drejtpërdrejtë të praktikës profesionale me kërkesat e tregut të punës.
Maturantët e Sarajit shfaqën interesim të veçantë për sferat teknike dhe humane, duke zhvilluar një dialog aktiv me ekipin akademik. UNT shpreh mirënjohje për drejtuesit e shkollës për mikpritjen dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm në udhëzimin e brezave të rinj drejt suksesit akademik.
