Shkup, Nëntor 2026 – Universiteti “Nënë Tereza” në Shkup dhe Komuna e Sarajit kanë zyrtarizuar bashkëpunimin e tyre institucional përmes nënshkrimit të Memorandumit të Mirëkuptimit. Dokumenti zyrtar u nënshkrua nga rektori i UNT-së, Prof. Dr. Bekim Fetaji, dhe kryetari i Komunës së Sarajit z. Muhamet Elmazi.
Ky memorandum shënon një hap të rëndësishëm drejt bashkëpunimit ndërmjet arsimit të lartë dhe pushtetit lokal. Qëllimi kryesor i këtij partneriteti është bashkëpunimi dypalësh në zhvillimin e programeve studimore dhe kërkimore-arsimore, si dhe angazhimi i përbashkët në projekte shkencore, profesionale e akademike me interes të ndërsjellë.
Fushat kryesore të bashkëpunimit përfshijnë zhvillimin e nismave të përbashkëta arsimore e kërkimore, organizimin e konferencave, trajnimeve e botimeve shkencore, krijimin e mundësive për praktikë studentore, si dhe zbatimin e projekteve me interes të drejtpërdrejtë për komunitetin akademik dhe banorët e Komunës së Sarajit.
Në këtë takim të rëndësishëm zyrtar, rektori Prof. Dr. Bekim Fetaji ishte i shoqëruar nga prorektori për Arsim, Prof. Dr. Fati Iseni, prorektori për Shkencë, Prof. Dr. Sani Demiri, si dhe sekretarët e dy fakulteteve, Mr. Mukades Hajdari dhe Mr. Bujar Kajolli.
Rektori Prof. Dr. Bekim Fetaji dhe kryetari i Komunës së Sarajit, z. Muhamet Elmazi shprehën përkushtimin e tyre dypalësh për jetësimin e objektivave të këtij memorandumi, duke vlerësuar se lidhja e marrëveshjeve të këtilla krijon ura të qëndrueshme bashkëpunimi dhe mundësi të reja për avancimin e dijes, kërkimit shkencor dhe zhvillimit socio-ekonomik lokal.
