𝐒𝐡𝐤𝐮𝐩, 𝟎𝟏.𝟏𝟐.𝟐𝟎𝟐𝟐 Universiteti ‘Nënë Tereza’ në Shkup sot për të gjashtën herë me radhë organizoi Konferencën Ndërkombëtare për Zhvillim të Qëndrueshëm TSD 2022.
Konferenca kishte karakter të prezencës fizike dhe nga distanca, ndërsa në të u kyçën afër 60 ligjërues nga vendi dhe jashtë. Hapjen e konferencës e bëri rektori i UNT-së prof. Dr. Izet Zeqiri i shoqëruar nga ministri i Shoqërisë Informatike dhe Administratës Admirim Aliti dhe organizatori prorektori për Shkencë dhe Hulumtime Prof.dr. Bekim Fetaji.
Tema që u diskutuan këtë vit ishin: roli i zhvillimeve teknike për qëndrueshmërinë ekonomike, planifikimi fizik i qëndrueshëm në kontekstin e urbanizimit, planifikimit hapësinor dhe arkitekturës, zhvillim i qëndrueshëm përmes Inovacionit dhe TIK-ut, ndikimi i teknologjive bashkëkohore në zhvillimin e qëndrueshëm dhe qëndrueshmëri në kontekstin social dhe arsimor, ku u kyçen mbi 40 folës. Në konferencë u publikuan gjithsej 57 punime shkencore.
Konferencën e hapi rektori i UNT-së prof. Dr. Izet Zeqiri i cili u dëshiroi mirëseardhje pjesëmarrësve të konferencës, ndërsa theksoi se stabiliteti ekonomik, tejkalimi i krizës aktuale si dhe rritja ekonomike duhet të bazohen në inovacione, kapital njerëzor dhe digjitalizim.
Ministri i Shoqërisë Informatike dhe Administratës Admirim Haliti tha se zhvillimi i qëndrueshëm nuk është më çështje zgjedhjeje, por është një imperativ në kushtet kur zhvillimi ekonomik dhe social dhe mbrojtja e mjedisit janë të ndërvarura dhe përfaqësojnë komponentë të domosdoshëm të zhvillimit të qëndrueshëm. Është gjithashtu një koncept që lejon marrjen e përgjegjësisë për cilësinë e zhvillimit të vet përmes praktikimit të demokracisë, respektimit të të drejtave të njeriut dhe lirive themelore që përfshijnë të drejtën për zhvillim, menaxhimin transparent dhe të përgjegjshëm të të gjithë sektorëve të shoqërisë, si dhe pjesëmarrjen efektive të qytetarëve në jetën publike. Punimet e prezantuara nga pjesëmarrësit e Konferencës Ndërkombëtare për Zhvillim të Qëndrueshëm TSD 2022 do të botohen në revistën për zhvillimit të qëndrueshëm të Evropës Juglindore ‘SEEJSD’ të cilën e boton UNT.
Konferencën e organizoi dhe e moderoi për të gjashtën herë me radhë, prorektori për shkencë në UNT, Prof.dr. Bekim Fetaji.
Rektori i UNT prof. Dr. Izet Zeqiri u ndau mirënjohje ministrit të Shoqërisë Informatike dhe Administratës Admirim Aliti si dhe folësve tjerë në konferencë.