Shkup, 08.03.2023 Universiteti ‘Nënë Tereza’ në Shkup dhe Qendra Inovative në Shkup, organizuan sot punëtori me temë ‘Aftësitë Digjitale’, ku para studentëve të shkencave të informatike dhe ekonomike u prezantuan mënyrat për aftësimin plotësues gjatë studimeve, përmes trajnimeve që ofron kjo qendër.

Rektori Prof. dr. Izet Zeqiri gjatë fjalimit të tij falënderoi drejtorin e Qendrës Inovative në Shkup, z.Burim Sherifi dhe trajnuesin e CISCO-s Artan Hoti për bashkëpunimin e nisur me UNT-në.

‘Synimi ynë është që të aftësojmë sa më shumë studentë në shkencat informatike, dhe ekonomike dhe në këtë drejtim synojmë që në të ardhmen të themelojmë edhe një Shkollë profesionale, të cilën do ta realizojmë me Qendrën Inovative në Shkup, e cila do tu mundëson shumë të rinjve të specializojnë në degë të ndryshme dhe të kenë përparësi në tregun e punës’, tha rektori Zeqiri.

Drejtori i Qendrës Inovative në Shkup, z.Burim Sherifi tha se kjo qendër është rajonale, dhe që para një viti është hapur edhe në Shkup, zyre në kuadër të Akademisë. Sherifi tha se benefitet nga mbarimi i kurseve janë të shumta dhe kanë impakt në sigurinë kibernetike, bazat e programimit në Python, rrjetëzimin, Sigurinë dhe automatizimi i ndërmarrjeve dhe Sigurinë e rrjeteve.Trajnuesi i CISCO-s (Computer Information System Company), Artan Hoti tha se rrjeti i Cisco-s lidh njerëzit, pajisjet kompjuterike dhe rrjetet kompjuterike, duke i lejuar njerëzit të aksesojnë ose transferojnë informacione pa marrë parasysh dallimet në kohë, vend ose llojin e sistemit kompjuterik.

‘Nga personat që kanë mbaruar kurset tremujore të CISCO-s (Kompani e Sistemit të Informacionit Kompjuterik), janë 84.9 për qind janë punësuar ose kanë hapur bizneset e tyre, gjithsej nga viti 1997 janë trajnuar 17.5 milion njerëz në 190 shtete të botës, në 29.300 trajnime të ndryshme. Ata janë zhvilluar në drejtim të profesionalizimit në fushën e teknologjisë informatike’, tha Hoti. Në bazë të bashkëpunimit mes UNT-së dhe CIS-it, studentë të UNT-së do të ndjekin kurse tremujore falas, të cilat me kosto të tregut kushtojnë 3700 euro.

Rajoni I Ballkanit ballafaqohet me mungesë të kuadrit në fushën e shkencave informatike, që shkakton probleme sidomos për kompanitë e huaja që vendosin të investojnë këtu, ndërsa mesatarisht ju duhen nga 30 kuadro të tilla.

By