Shkup, 10.10.2024 – Në hapësrat studimore pranë Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup u zhvillua me interes të lartë ligjërata e hapur nga profesori i njohur z. Jean Michel De Waele nga Belgjika me temë: “INTEGRIMI NË BE DHE SHTETI I SË DREJTËS – MËSIMET NGA RAPORTET E MËPARSHME TË ZGJERIMIT”, i shoqëruar dhe moderuar nga Prof.dr. Enver Abdullahi.
Në hapje të kësaj ligjerate rektori UNT-së, Prof.dr. Izet Zeqiri përshëndeti të pranishmit duke i’u dëshiruar që ky model i ligjëratave të studentëve nga shkenca politike dhe jo vetëm le të ju shërben si një ekspertizë shtesë gjatë studimeve të tyre në UNT.
Zëvendëskryeministri për qeverisje të mirë, Arben Fetai uroi studentët dhe të pranishmit që të përfitojnë shumë nga kjo ligjeratë e profesorit Jean Michel De Waele duke iu dëshiruar suksese dhe kyçje në çdo gjë që kanë dilemë rreth temës së diskutimit.
Ndryshe, profesori Jean Michel De Waele, si një ekspert i shquar në fushën e shkencave politike dhe me përvojë të gjerë në studimet mbi politikat ndërkombëtare dhe studimet evropiane diskutoi për shumë çështje relevante në vend dhe Ballkanin Perëndimor ndër tjerash për forcimin e shtetit të së drejtës, integrimin e bazuar në merita, rëndësia e integrimit në BE, kontekstin historik të zgjerimit të BE-së dhe të tjera.
Gjatë konkluzave që potencoi profesori Jean Michel De Waele tha se: “BE dhe Ballkani Perëndimor kanë interes për zgjerimin e Bashkimit Evropian në Ballkanin Perëndimor si dhe vendet postkomuniste që janë anëtare të Bashkimit Evropian kanë përjetuar stabilizim politik, rritje ekonomike dhe sociale dhe standardi i jetesës së banorëve të tyre ka filluar të arrijë atë të Evropës Perëndimore.” – tha profesori Jean Michel De Waele.
Profesori Jean Michel De Waele gjithashtu tha se Universitetet mund të luajnë një rol të dobishëm dhe se secila palë duhet të kuptojë frikën e tjetrës, gjegjësisht duhet të njihemi më mirë dhe të kapërcejmë stereotipet.
Pas ligjëratës profesori Jean Michel De Waele zgjoi interesimin e lartë të pranishmëve në diskutime interaktive të stafit akademik dhe studentëve nga shkencat politike.