Shkup, 20.01.2025 – Rektori i Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup, Prof. dr. Izet Zeqiri, priti në një takim pune një delegacion nga Turqia, ku morën pjesë, Prof. dr. Ahmet Çabuk, përfaqësues nga Universiteti “Osman Gazi” në Eskishehir, Rustu Sentuna, kryetar i Odës Industriale të Eskishehirit, Asip Bylykbashi, përfaqësues i organizatës ERIAD për marrëdhënie me bizneset ndërkombëtare, dhe Mustafa Veselin, koordinator nacional nga Republika e Maqedonisë së Veriut.
Në takim ishin të pranishëm edhe prorektorët e UNT-së, Prof. dr. Blerim Saiti, përgjegjës për Marrëdhënie Ndërkombëtare, dhe Prof. dr. Bujamin Bela, prorektor për Financa, Investime dhe Zhvillim. Diskutimet u përqendruan në mundësitë e bashkëpunimit mes dy institucioneve të arsimit të lartë në fusha të ndryshme, si shkëmbimi i stafit akademik dhe realizimi i projekteve të përbashkëta kërkimore.
Rektori Zeqiri i informoi të pranishmit për aktivitetet akademike të Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup, sfidat që institucioni ka përballuar gjatë viteve dhe objektivat strategjike për të ardhmen, duke theksuar rëndësinë e këtij institucioni si vatër diturie për brezat që vijnë.