Shkup, 24.02.2025 – Në Universitetin “Nënë Tereza” në Shkup ka filluar zyrtarisht promovimi i kandidatëve për rektor, proces ky që shënon një moment të rëndësishëm për të ardhmen akademike dhe institucionale të universitetit.

Dy kandidatët potencialë për postin e rektorit, Prof. dr. Bekim Fetaji dhe Prof. dr. Blerim Saiti, sot patën mundësinë të prezantojnë para pedagogëve të fakulteteve programet e tyre të punës dhe vizionin për zhvillimin e mëtejshëm të UNT-së.

Gjatë prezantimit, kandidatët theksuan prioritetet e tyre në fushat kyçe si, zhvillimi akademik dhe cilësia e mësimdhënies, zgjerimi i bashkëpunimeve ndërkombëtare, mbështetja e studentëve dhe rritja e mundësive për angazhimin e tyre profesional, avancimi i infrastrukturës dhe digjitalizimi i shërbimeve universitare, përmirësimi i kushteve për kërkimin shkencor dhe inovacionin.

Ky proces demokratik i promovimit të kandidatëve synon të informojë dhe të angazhojë komunitetin akademik në një vendimmarrje të bazuar në programet dhe idetë që do të ndikojnë në drejtimin e universitetit për vitet në vijim.

Kandidatët u përgjigjën gjithashtu pyetjeve të pedagogëve dhe diskutuan mbi sfidat dhe mundësitë e UNT-së në kontekstin e arsimit të lartë në vend dhe rajon.

Votimi për rektorin e ri, i treti me radhë në UNT, do të realizohet më 12 mars 2025, duke shënuar një hap të rëndësishëm në zhvillimin dhe drejtimin e ardhshëm të universitetit.

Universiteti “Nënë Tereza” në Shkup mbetet i përkushtuar në sigurimin e një procesi transparent dhe gjithëpërfshirës, duke i dhënë stafit akademik dhe studentëve mundësinë të jenë pjesë e vendimeve kyçe për të ardhmen e institucionit.

By