Murgashovë/Demirhisar, Prill 2025 – Në kuadër të fushatës promovuese, Universiteti “Nënë Tereza” në Shkup realizoi për herë të parë takime informuese me prindër, nxënës dhe mësues në fshatrat Murgashovë, Obednik dhe Sodoll të rajonit të Demirhisarit.

Takimet u udhëhoqën nga dekani Prof. dr. Mustafa Ibrahimi, i shoqëruar nga Zekman Asani nga Manastiri dhe Rexhep Ibrahimi nga Prilepi. Gjatë prezantimit, profesor Ibrahimi informoi pjesëmarrësit për programet studimore, kushtet e regjistrimit dhe mundësitë që Universiteti “Nënë Tereza” në Shkup ofron për të rinjtë e këtij rajoni.

Ndër takimet më domethënëse ishte ai me prindërit Ertan dhe Zurije Saiti nga Murgashova, të cilët ndanë krenarinë për vajzat e tyre, veçanërisht për Sibelin, sportiste e kombëtares së futbollit për femra. Po ashtu, në Obednik, bashkëshortët Uzeir dhe Nexhibe Sherifi theksuan përkushtimin ndaj arsimit dhe shpresën që fëmijët e tyre të ndërtojnë një të ardhme të sigurt përmes studimeve universitare.

Në Sodoll, Adnan dhe Hurije Xhaferi diskutuan për rëndësinë e edukimit si mjet për të frenuar shpërnguljet e të rinjve nga rajoni.

Gjatë takimeve u shpërndanë broshura informuese për programet akademike të universitetit, ndërsa të pranishmit parashtruan pyetje lidhur me kushtet e regjistrimit, studimeve dhe mundësitë e punësimit pas diplomimit.

By