Shkup, 09.05.2025 – Në ambientet e Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup, në organizim të Fakultetit të Shkencave Humane, u realizua promovimi i librit më të ri të Prof.dr. Naim Kryeziu, me titull: “Aforizma dhe Citate”, përzgjedhur dhe përkthyer nga autorë të njohur gjermanë, austriakë dhe zviceranë.

Me këtë rast, rektori i UNT-së, Prof.dr. Bekim Fetaji, theksoi rëndësinë e pasurimit të fondit letrar dhe filozofik në gjuhën shqipe dhe rolin e librit në nxitjen e mendimit kritik ndër studentë dhe studiues.

Dekani i Fakultetit të Shkencave Humane, Prof.dr. Mustafa Ibrahimi, vlerësoi kontributin e autorit si model i angazhimit akademik dhe ndërkulturor, ndërsa Prof.dr. Izer Maksuti shtoi se vepra paraqet një ndërlidhje të suksesshme midis gjuhësisë, filozofisë dhe kulturës evropiane.

Në fjalën e tij, autori Prof.dr. Naim Kryeziu, pedagog në Universitetin e Prishtinës, ndau përvojën dhe motivet që e shtynë të përzgjedhë mendime të urta nga literatura gjermanishtfolëse, duke i përkthyer ato në shqip me përpikëri dhe ndjeshmëri gjuhësore.

Gjatë promovimit, pjesëmarrësit patën mundësinë të diskutojnë për rëndësinë e aforizmave dhe citateve në edukim, përkthim dhe ndërmjetësim kulturor. Libri është rezultat i një pune disavjeçare dhe ofron një pasuri shprehjesh me vlera të qëndrueshme filozofike dhe edukative.

By