Shkup, 07.05.2025 – Në ambientet e kampusit të Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup u zhvillua aktiviteti tradicional “Dita e Hapur”, ku u mirëpritën qindra maturantë nga shkollat e mesme të qyteteve të ndryshme të Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Që në orët e para të mëngjesit, maturantët u pritën ngrohtësisht nga stafi akademik dhe administrativ i universitetit, të cilët ofruan informacione të detajuara për programet studimore, kushtet e studimit, përfitimet nga mobilitetet ndërkombëtare (si Erasmus+ dhe CEEPUS), si dhe për orientimin profesional që UNT ofron në përputhje me kërkesat e tregut të punës.
Rektori i UNT-së, Prof. dr. Bekim Fetaji, në fjalën e tij përshëndetëse theksoi rëndësinë e përzgjedhjes së drejtë të rrugës akademike dhe u shpreh se UNT është një derë e hapur për të rinjtë që duan të ndërtojnë një të ardhme të qëndrueshme, përmes një arsimimi cilësor, multidisiplinar dhe ndërkombëtarisht të lidhur.
“Në Universitetin “Nënë Tereza” në Shkup ju nuk zgjidhni vetëm një drejtim studimi, por bashkoheni me një komunitet që synon dije, përvojë dhe sukses profesional. Ne besojmë tek potenciali i të rinjve dhe jemi këtu për t’ju mbështetur në çdo hap të rrugës suaj akademike,” – u shpreh rektori Fetaji.
Në kuadër të Ditës së Hapur, secili fakultet kishte të organizuar pikën e vet informuese, ku dekanët dhe profesorët prezantuan programet përkatëse studimore, mundësitë e përfshirjes në kërkime shkencore dhe projektet praktike që zhvillohen gjatë studimeve.
Maturantët patën gjithashtu mundësinë të zhvillojnë biseda të drejtpërdrejta me studentët aktualë të UNT-së kryesuar nga Kuvendi Studentor Universitar, të cilët ndanë përvojat e tyre personale dhe dhanë këshilla të dobishme mbi jetën studentore në UNT.
Atmosfera festive u plotësua me aktivitete interaktive, shpërndarje të materialeve promovuese dhe një guidë në hapësirat e universitetit, duke përfshirë sallat e ligjëratave, laboratorët dhe bibliotekën moderne.
Universiteti “Nënë Tereza” në Shkup falënderon udhëheqësit e shkollave si dhe maturantët për pjesëmarrjen aktive si dhe u uron suksese në përgatitjet për studime të larta, duke i ftuar që të bëhen pjesë e familjes sonë akademike në vitin e ri universitar.





