Shkup, Qershor 2025 – Rektori i Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup, Prof. Dr. Bekim Fetaji, priti në një takim pune drejtorin e Parqeve dhe Gjelbërimit pranë qytetit të Shkupit, z. Jeton Buçi.

Gjatë këtij takimi u diskutua për mundësitë konkrete të bashkëpunimit ndërinstitucional, me theks të veçantë në projekte të përbashkëta për gjelbërimin urban, ruajtjen e mjedisit dhe angazhimin e studentëve në aktivitete praktike dhe hulumtuese në fushën e ekologjisë dhe planifikimit urban.

Rektori Fetaji theksoi rëndësinë e bashkëpunimit me institucionet publike për të sjellë vlera të shtuara në procesin edukativo-arsimor dhe për të krijuar mundësi për përfshirjen aktive të studentëve.

Nga ana e tij, drejtori Buçi shprehu gatishmërinë e Drejtorisë së Parqeve dhe Gjelbërimit për të mbështetur nisma të përbashkëta me UNT, duke potencuar rëndësinë e përfshirjes së të rinjve në nismat për zhvillim të qëndrueshëm urban dhe ruajtje të natyrës.

Pas përfundimit të takimit, punëtorët e Parqeve dhe Gjelbërimit, në bashkëpunim me stafin teknik të UNT-së, vazhduan me punën praktike në hapësirat e gjelbërta të kampusit, përfshirë krasitjen e bimësisë ekzistuese, mbjelljen e luleve sezonale dhe përmirësimin e infrastrukturës së hapësirave publike, duke dhënë kështu një kontribut të drejtpërdrejtë në krijimin e një ambienti më të pastër dhe më të këndshëm për studentët dhe stafin akademik.

By