Shkup, 01.07.2025 – Sot, në ambientet e Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup, u zhvillua një takim zyrtar i ndjekur nga ceremonia e nënshkrimit të marrëveshjes së bashkëpunimit ndërmjet UNT-së, i kryesuar nga rektori Prof. Dr. Bekim Fetaji, dhe Universitetit Publik “Kadri Zeka” nga Gjilani, përfaqësuar nga rektori Prof. Dr. Artan Dërmaku, me qëllim forcimin e lidhjeve akademike dhe shkencore ndërmjet dy institucioneve të arsimit të lartë.
Kjo marrëveshje u realizua në prani të përfaqësuesve të lartë të të dy universiteteve, edhe atë nga UNT prorektorit për Arsim Prof. Inor. Dr. Fati Iseni, prorektores për Bashkëpunim Ndërkombëtar Prof. Inor. Dr. Diturije Ismaili dhe Mr. Pishtar Lutfiu, sekretar i Përgjithshëm i UNT-së, ndërsa nga Universiteti “Kadri Zeka” u përfaqësua nga Prof. Dr. Shpresa Qamili, prorektore për Arsim si dhe Prof. Dr. Naim Mustafa, anëtar i Senatit dhe staf akademik.
Marrëveshja synon të krijojë bazë të qëndrueshme për bashkëpunim të ndërsjellë në fusha të rëndësishme si në shkëmbimin e stafit akademik dhe studentëve, bashkëpunimin e projekte kërkimore dhe shkencore, organizimin e përbashkët të konferencave, punëtorive dhe seminareve, promovimin e botimeve akademike dhe literaturës në gjuhën shqipe veçanti në pjesën e IT teknologjisë dhe jo vetëm, mbështetje e ndërsjellë në rritjen e cilësisë së arsimit dhe të inovacionit.
Ky partneritet përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt ndërlidhjes së dy universiteteve në rajon për krijimin e një hapësire të përbashkët akademike, që synon fuqizimin e kapaciteteve kërkimore dhe përgatitjen cilësore të brezave të rinj.









