Shkup, 26.08.2025 – Me rastin e 115-vjetorit të lindjes së Gonxhe Bojaxhiut – Nënë Terezës, Universiteti “Nënë Tereza” në Shkup, në bashkëorganizim me Institutin për Trashëgimi Kulturore dhe Shpirtërore të Shqiptarëve në Shkup, organizuan me sukses Panel Diskutimi me temë: “NËNË TEREZA DHE TRASHËGIMIA E SAJ”.
Në këtë diskutim, panelistët që prezantuan kumtesat e tyre ishin, Prof. Dr. Bekim Fetaji, rektor i UNT-së, Dr. Besnik Emini, u.d. drejtor i ITSHKSH-së, Prof. Dr. Rizvan Sulejmani, si panelist dhe udhëheqës i këtij paneli.
Në kumtesën e tij, rektori Prof. Dr. Bekim Fetaji potencoi se ‘Nëna Terezë ishte shembulli i përkryer i asaj se si vlerat shpirtërore mund të shndërrohen në vepra konkrete që ndryshojnë realitete. Ajo na mëson se humanizmi nuk është një ideal i paarritshëm, por një veprim i përditshëm. Si universitet, ne kemi misionin që këtë frymë ta përfshijmë në programet tona arsimore dhe shkencore, në projektet kërkimore dhe në formimin e studentëve tanë, në mënyrë që çdo dije e fituar të shërbejë si mjet për përmirësimin e jetës së njerëzve dhe të shoqërisë.’ – tha rektori Fetaji.
Rektori Fetaji shtoi gjithashtu se ‘kujtimi i Nënës Terezë nuk është vetëm një ceremoni përkujtimore, por një thirrje për reflektim dhe veprim. Si komunitet akademik, duhet të shohim përtej auditorëve dhe laboratorëve, për të kuptuar se dija ka kuptim vetëm kur kthehet në shërbim të njeriut. Angazhimi ynë është që studentët tanë të mos jenë thjesht profesionistë të suksesshëm, por edhe qytetarë të përgjegjshëm, të udhëhequr nga etika, përulësia dhe dashuria për tjetrin, ashtu siç na mësoi vetë Nëna Terezë.
Ndërsa u.d. drejtori i Institutit për Trashëgimi Kulturore dhe Shpirtërore të Shqiptarëve në Shkup, Dr. Besnik Emini, theksoi rëndësinë e ruajtjes dhe promovimit të trashëgimisë kulturore dhe shpirtërore të komunitetit shqiptar dhe botëror, duke nënvizuar se institucionet akademike kanë një rol kyç në formësimin e ndërgjegjes qytetare dhe kulturore. Ai prezantoi aktivitetet dhe projektet kërkimore që Instituti ka realizuar ndër vite, duke përfshirë hulumtimet mbi jetën, veprën dhe ndikimin e Nënës Terezë, botimet shkencore dhe organizimin e aktiviteteve edukative dhe kulturore për studentët dhe komunitetin e gjerë.
Dr. Emini theksoi gjithashtu se ‘veprimtaria e ITSHKSH-së synon jo vetëm të dokumentojë dhe ruajë trashëgiminë kulturore dhe shpirtërore, por edhe ta bëjë atë të gjallë dhe të prekshme për brezat e rinj. Duke nderuar figurën e Nënës Terezë, ne jo vetëm kujtojmë një ikonë universale të humanizmit, por edhe frymëzojmë komunitetin akademik dhe shoqërinë për të ndërtuar një botë më të drejtë dhe më të dhembshur.
Prof. Dr. Rizvan Sulejmani, gjatë fjalimit të tij, tha se ‘jemi mbledhur sot për të përkujtuar ditëlindjen e Anjezë Gonxhe Bojaxhiut – Nënës Terezë, një figurë që nuk i përket vetëm kombit tonë, por mbarë njerëzimit. Trajtimi i jetës dhe veprës së Nënës Terezë do të thotë të reflektojmë mbi një personalitet që sfidoi kontradiktat mes materialës dhe shpirtërores, mes egoizmit dhe altruizmit, duke dhënë shembullin më të lartë të baraspeshës humane.’
Profesor Sulejmani vijoi duke shtuar se ‘në një botë shpesh të dominojnë egoizmi, uria dhe padrejtësitë sociale, mesazhi i Nënës Terezë mbetet më aktual se kurrë. Ajo na mëson se dashuria dhe dhembshuria universale janë armët më të fuqishme përballë sfidave të kohës sonë. Ne, si pjesë e universitetit që mban emrin e saj, kemi detyrimin moral dhe akademik që të ruajmë dhe përcjellim këtë trashëgimi për brezat që vijnë.
Vlen të theksohet se në këtë panel diskutimi morën pjesë stafi akademik dhe administrativ, si dhe studentët, të cilët patën mundësinë për një bashkëbisedim frymëzues mbi trashëgiminë e Nënë Terezës – një frymë që vazhdon të motivojë brezat për të jetuar me përulësi, dashuri dhe shërbim ndaj të tjerëve.


