Shkup, 25.02.2026 – Në takimin ndëruniversitar të mbajtur më 24 shkurt 2026 në rektoratin e Universitetit “Shën Kirili dhe Metodij”, rektori i Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup, Prof. Dr. Bekim Fetaji, mori pjesë në debatin mbi dy projektligjet e reja për arsimin e lartë. Ndonëse përshëndeti iniciativën për dialog të hapur, rektori Fetaji paraqiti kritika të ashpra dhe vërejtje substanciale lidhur me përmbajtjen e këtyre propozimeve.

Gjatë diskutimit, rektori Fetaji analizoi disa çështje thelbësore problematike që prekin integritetin e institucioneve të arsimit të lartë. Ai nënvizoi se disa nene të Projektligjit për sigurimin e cilësisë në arsimin e lartë bien në kundërshtim të drejtpërdrejtë me Kushtetutën e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe me Ligjin për marrëdhëniet e punës.

Një pikë veçanërisht shqetësuese u cilësua parashikimi për krijimin e Këshillit Universitar si organ suprem vendimmarrës mbi Senatin akademik. “Meqenëse mbi 51% e anëtarëve të këtij këshilli propozohet të emërohen nga jashtë komunitetit universitar, parashtrohet pyetja legjitime: sa do të jenë këta anëtarë, të cilët nuk preken drejtpërdrejt nga vendimet e universitetit,  në mbrojtje të interesave akademike? Kjo nismë cenon rëndë autonominë akademike dhe parimin e vetëqeverisjes institucionale,” u shpreh Rektori Fetaji.

Më tej, Prof. Dr. Bekim Fetaji ngriti çështjen e varësisë financiare, duke sfiduar kompetencat e Ministrisë së Financave mbi mjetet e gjeneruara nga vetë universitetet:

“Pse Ministria e Financave ka të drejtë të ndryshojë planet financiare për mjetet vetëfinancuese (Neni 109, Paragrafi 9), kur këto nuk janë fonde publike buxhetore, por produkte të aktivitetit të vetë universitetit?“ – pyeti Rektori, duke shtuar se nëse autonomia financiare mbetet vetëm deklarative dhe jo formale-juridike, ajo humb kuptimin e saj.

Në përfundim të fjalës së tij, Rektori theksoi se Universiteti “Nënë Tereza” në Shkup mbetet i përkushtuar ndaj mbrojtjes së vlerave universale të universiteteve si tempuj të dijes. Ai rikonfirmoi gatishmërinë e UNT-së për një dialog konstruktiv, por gjithmonë në funksion të forcimit të një arsimi të lartë cilësor, të pavarur dhe të mbrojtur nga ndërhyrjet që cenojnë autonominë akademike, financiare dhe kushtetuese.

By