Shkup, Mars 2026 – Studentët e Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup morën pjesë në ngjarjen solemne për shënimin e Ditës Ndërkombëtare të Gruas, e cila u mbajt në Aulën e Rektoratit të Universitetit “Shën Kirili dhe Metodi” në Shkup.
Ngjarja u organizua nga Ministria e Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë, Universiteti “Shën Kirili dhe Metodi” dhe Kombet e Bashkuara në Maqedoninë e Veriut, nën temën globale: “Të drejtat. Drejtësia. Angazhim për të gjitha gratë dhe vajzat”.
Pjesëmarrja e studentëve të UNT-së në këtë takim synoi nxitjen e dialogut konstruktiv me gjeneratën e re mbi rëndësinë e lidershipit të grave në shoqëri, si dhe frymëzimin e vajzave dhe grave të reja për të ndjekur ëndrrat dhe ambiciet e tyre akademike e profesionale.
Gjatë këtij organizimi, u prezantua edhe iniciativa “mentorim për lidership”, e realizuar në bashkëpunim me një organizatë lokale, e cila ka për qëllim ofrimin e përkrahjes dhe zhvillimin e aftësive udhëheqëse për vajzat dhe gratë e reja.
