Shkup, 26.03.2026 – Në ambientet e Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup u promovua botimi më i ri shkencor i autorit Dr. Rahim Jashari, me titull: “Qasje Teoriko-Metodologjike në Studimin e Koncepteve të Sigurisë dhe Interpretiment e Radikalizmit Islam”. Ky studim voluminoz, i botuar në gjuhën shqipe dhe maqedonase, vjen si një kontribut i rëndësishëm në sferën e shkencave të sigurisë dhe sociologjisë së religjionit.

Rektori UNT-së, Prof. Dr. Bekim Fetaji në fjalën e tij përshëndetëse përgëzoi autorin për guximin intelektual dhe rreptësinë shkencore në trajtimin e një teme kaq komplekse dhe delikate për shoqërinë tonë, duke theksuar se UNT po shndërrohet në një vatër të rëndësishme të prodhimit të dijes elitare.

Prof. Dr. Cane Mojanoski, në cilësinë e recensentit, e cilësoi veprën si një hulumtim solid teorik dhe cilësor i cili tha se “ky është një punim origjinal shkencoro-hulumtues që ofron një kritikë epistemologjike mbi njohuritë në fushën e sigurisë. Autori ka arritur të ndërtojë një urë lidhëse mes teologjisë, sociologjisë dhe shkencave të sigurisë, duke ofruar një koncept teorik që kërkon objektivitet dhe njohuri të thella. Ky libër do të jetë një nxitje për studiuesit e rinj që të ndërtojnë aparate kategorike-nocionale për fenomenet komplekse të radikalizimit.”

Nga ana tjetër, Prof. Inor. Dr. Diturije Ismaili, vuri theksin te rëndësia metodologjike e librit e cila tha se: “libri i kolegut Jashari është një analizë e thellë dhe e balancuar që shmang stereotipet. Autori nuk e trajton religjionin si faktor të vetëm negativ, por si një fenomen kompleks që mund të shërbejë edhe në ndërtimin e paqes. Përdorimi i ‘triangulimit’ si qasje kërkimore – kombinimi i metodave sasiore dhe cilësore – e bën këtë studim tejet të qëndrueshëm. Është një udhërrëfyes i domosdoshëm për studentët e ciklit të dytë dhe të tretë.”

Autori i librit, Dr. Rahim Jashari, theksoi se botimi i kësaj vepre përfaqëson jo vetëm një angazhim të lartë akademik, por edhe një përkushtim personal ndaj një fushe sa komplekse, aq edhe të ndjeshme për shoqërinë. Pasi falënderoi panelistët për analizat e tyre të thëlla, Dr. Jashari u shpreh: “libri ‘Qasjet teoriko-metodologjike në hulumtimin e koncepteve të sigurisë dhe interpretimet e radikalizmit islam’ lindi nga një interes i kahmotshëm akademik mbi mënyrën se si konceptet e sigurisë trajtohen në diskursin bashkëkohor. Kam vënë re se shumë prej këtyre koncepteve shpesh përdoren në mënyrë të përgjithshme dhe të paqartë, pa një analizë të mjaftueshme metodologjike. Pikërisht kjo më ka shtyrë të ndërtoj një qasje më të sistemuar dhe më të mbështetur në metodën shkencore.”

Në rolin e moderatorit, Prof. Inor. Dr. Aleksandar Petkovski, dekan i Fakultetit Juridik, hapi ceremoninë dhe bashkërendoi ndërhyrjet e panelistëve, duke i dhënë ngjarjes një karakter të lartë akademik.

Vepra e Dr. Rahim Jashari është e ndarë në tetë kapituj dhe ofron një analizë të detajuar të modeleve të radikalizimit, me fokus të veçantë në kontekstin e Maqedonisë së Veriut dhe Ballkanit. Libri kritikon mungesën e kërkimeve empirike në studimet e mëparshme dhe propozon modele konkrete për hartimin e politikave parandaluese shtetërore.

Ky promovim mblodhi bashkë përfaqësues të jetës akademike, drejtues institucionesh si dhe student duke hapur një debat shkencor mbi nevojën e kultivimit të dialogut dhe objektivitetit në trajtimin e sfidave të sigurisë globale.

By