Më 24 dhe 25 mars, në Universitetin “Nënë Tereza” në Shkup, për vizitë pune qëndroi Komisioni i Jashtëm për Vlerësimin e Cilësisë së Fakultetit të Shkencave Humane në përbërje z. Srdjan Mićić, znj. Silvia Florea dhe z. Mariam Kilanava.
Grupin e ekspertëve ndërkombëtarë fillimisht e priti Rektori i Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup, Prof. Dr. Bekim Fetaji, i shoqëruar edhe nga ekipi menaxherial i universitetit: prorektorët Prof. Inor. Dr. Sani Demiri, Prof. Inor. Diturije Ismaili, Prof. Inor. Dr. Bujamin Bela dhe Prof. Inor. Dr. Fati Iseni, Prof. Inor. Dr. Zoran Trifunov, Mr. Pishtar Lutfiu, Mr. Elena Prenxhova dhe Sekretari i Përgjithshëm, Dr. Rahim Jashari.
Gjatë vizitës dyditore në ambientet e UNT-së, Komisioni i Ekspertëve realizoi një agjendë intensive takimesh me aktorët kryesorë të menaxhmentit dhe të procesit akademik. Fillimisht u takua me dekanin e Fakultetit të Shkencave Humane, Prof. Dr. Mustafa Ibrahimi, dhe prodekanen, Doc. Dr. Arta Tika Bekteshi. Fokus i veçantë iu dha, plan-programeve mësimore dhe metodave të implementimit, objektivave arsimore dhe rezultateve të të nxënit, inspektimit të provimeve, temave të diplomës dhe punimeve projektuese, diskutimeve me stafin akademik, administrativ dhe Teknik, intervistave me studentët aktualë dhe ata të diplomuar si dhe bashkëpunimit me partnerët nga industria dhe sektori përkatës për punësimin e të diplomuarve.
Pjesë e agjendës ishte edhe vizita në infrastrukturën mbështetëse, duke përfshirë bibliotekën, zyrat për shërbim të studentëve, laboratorët, qendrën e karrierës dhe mjediset e tjera teknike të Universitetit.
Qëllimi i kësaj vizite ishte vlerësimi i standardeve administrative dhe akademike, kapaciteteve kërkimore-shkencore dhe infrastrukturës së Fakultetit të Shkencave Humane. Pas shqyrtimit të dokumentacionit dhe intervistave të zhvilluara, procesi i vlerësimit u përmbyll me vlerësime mjaft pozitive.
U konstatua se të gjithë indikatorët ishin të plotësuar me sukses, duke konfirmuar se Fakulteti i Shkencave Humane ka kaluar me sukses këtë evaluim të detajuar, formal dhe përmbajtësor, që nga çështjet administrative deri te ato akademike, duke rikonfirmuar përkushtimin e UNT-së drejt cilësisë dhe modernizimit.

