Shkup, Prill 2026 – Në kuadër të debateve për reformimin e sistemit arsimor në vend, rektori i Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup, Prof. Dr. Bekim Fetaji, mori pjesë në mbledhjen e Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, ku prezantoi qëndrimet dhe propozimet zyrtare të universitetit lidhur me pakon e re ligjore për arsimin e lartë dhe shkencën.

​Gjatë këtij takimi, rektori Prof. Dr. Bekim Fetaji u shoqërua nga prorektori për Financa, Investime dhe Zhvillim, Prof. Dr. Bujamin Bela.

​Në fjalën e tij, Rektori Fetaji theksoi rëndësinë e një qasjeje gjithëpërfshirëse dhe profesionale në hartimin e legjislacionit, duke vënë në dukje se UNT-ja ka mobilizuar kapacitetet e saj më të larta akademike për të kontribuar në këtë proces jetik. Propozimet e dorëzuara janë rezultat i një pune intensive të komisioneve universitare, të miratuara nga Rektorati dhe Senati, me synim rritjen e cilësisë dhe përputhshmërinë me standardet ndërkombëtare.

​Në vijim, po ju përcjellim fjalimin e plotë të Rektorit, Prof. Dr. Bekim Fetaji:

Të nderuar,

​Më lejoni që, në emër të Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup, të shpreh përkushtimin tonë të sinqertë për të kontribuar në ndërtimin e një sistemi modern, ndërkombëtarisht të krahasueshëm dhe në përputhje me Kushtetutën, të arsimit të lartë dhe shkencës në Republikën e Maqedonisë së Veriut.

​Në këtë drejtim, Universiteti “Nënë Tereza” e ka përshëndetur iniciativën për përmirësimin e cilësisë në arsimin e lartë dhe, në frymën e një kontributi konstruktiv dhe institucional, ka përgatitur dhe konsoliduar propozime për avancimin e tre projektligjeve: Ligjit për veprimtari shkencore-hulumtuese, Ligjit për sigurimin e cilësisë në arsimin e lartë dhe shkencë, si dhe Ligjit për arsimin e lartë.

​Këto propozime janë hartuar në mënyrë të koordinuar, profesionale dhe të harmonizuar institucionalisht nga Komisioni Universitar i Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup. Pas përgatitjes së tyre, ato iu nënshtruan një shqyrtimi të gjithanshëm institucional dhe u miratuan nga organet më të larta të Universitetit, përkatësisht nga Rektorati dhe Senati, duke siguruar kështu një qasje të unifikuar dhe të harmonizuar institucionale në këtë proces me rëndësi të veçantë për sistemin e arsimit të lartë në vend.

​Më tej, dokumenti përkatës që përmban vërejtjet dhe propozimet është dorëzuar zyrtarisht te Ministrja e Arsimit dhe Shkencës në formë të shtypur, si dhe është evidentuar dhe arkivuar në mënyrë përkatëse.

​Me këtë, Universiteti “Nënë Tereza” në Shkup edhe një herë konfirmon angazhimin e tij për një përfshirje të vazhdueshme institucionale, si dhe për pjesëmarje aktive, profesionale dhe të përgjegjshme në avancimin dhe zhvillimin e arsimit të lartë. Njëkohësisht, përmes këtyre propozimeve, Universiteti jep një kontribut konkret në përmirësimin e tekstit të Ligjit për arsimin e lartë dhe në rritjen e cilësisë në arsimin e lartë në Republikën e Maqedonisë së Veriut.

By