Shkup, 25.12.2025 – Në një atmosferë solemne dhe akademike, Universiteti “Nënë Tereza” në Shkup, përkatësisht Fakulteti i Ndërtimtarisë dhe Arkitekturës, organizoi promovimin e dy vëllimeve shkencore të autorit Prof. Inor. Dr. Isak Idrizi me titujt: “Mekanika Inxhinierike – Statika” dhe “Mekanika Inxhinierike – Dinamika”.
Evenimenti, i cili mblodhi bashkë udhëheqësinë e universitetit, stafin akademik, administrative, studentë, miq dhe dashamirë të librit u moderua nga profesoresha Genta Spahija Mirzo, e cila në fjalën e saj hapëse vuri në dukje rëndësinë e botimeve të tilla që shërbejnë si udhërrëfyes për brezat e rinj të inxhinierëve.
Rektori i UNT-së, Prof. Dr. Bekim Fetaji, në fjalën e tij përshëndetëse, vlerësoi lart punën kërkimore të autorit. Ai potencoi se këto dy botime nuk janë vetëm një sukses individual i autorit, por një arritje e madhe për vetë universitetin. Rektori Fetaji theksoi se pasurimi i literaturës teknike dhe veprat e tilla lartësojnë profilin shkencor të institucionit dhe u ofrojnë studentëve mjete bashkëkohore për studim.
Në emër të Fakultetit të Ndërtimtarisë dhe Arkitekturës, fjalë rasti mbajti dekani, Prof. Dr. Zekirija Idrizi. Para auditoriumit, ai vlerësoi se këto libra vijnë si rezultat i një nevoje të kahmotshme për literaturë cilësore akademike në fushën e mekanikës. Dekani Idrizi tha se këto vepra, të punuara me një metodologji profesionale, do të jenë shtyllat ku studentët dhe të gjithë studijuesit e rinjë do të mbështesin njohuritë e tyre teorike dhe praktike, duke lehtësuar ndjeshëm procesin e tyre formues.
Autori i librave, Prof. asoc. dr. Isak Idrizi, shpjegoi rrugëtimin e gjatë deri te finalizimi i këtyre vëllimeve. Ai u shpreh se këto vepra janë rezultat i një pune kërkimore-shkencore disavjeçare dhe një përkushtimi të lartë, veçanërisht në përkthimin dhe përshtatjen e saktë të termave teknikë në gjuhën shqipe. Autori falënderoi universitetin për mbështetjen, duke nënvizuar se synimi i tij kryesor mbetet lehtësimi i procesit studimor për studentët përmes një trajtimi të qartë dhe të detajuar të teorisë.
Promovimi i librave “Statika” dhe “Dinamika” shënon një hap të rëndësishëm në konsolidimin e literaturës inxhinierike në vendin tonë, duke u shndërruar në një burim të çmuar informacioni për të gjithë komunitetin akademik dhe profesionistët e fushës.
