Shkup, 31.03.2026 – Sot, në ambientet e kampusit të Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup, Fakulteti i Shkencave Sociale dhe programi studimor i Psikologjisë organizuan një panel diskutimi me mesazh të lartë human dhe social: “Bashkim në diversitet – Ndërgjegjësim dhe përfshirje për Autizmin dhe Sindromën Down.”

Ky aktivitet, i realizuar në prag të Ditës Botërore të Ndërgjegjësimit për Autizmin dhe Ditës Botërore të Sindromës Down, bëri bashkë studentë, staf akademik e administrativ, si dhe profesionistë të fushës nga vendi dhe rajoni, në një përpjekje kolektive për të promovuar empatinë, mirëkuptimin dhe integrimin social.

Nën koordinimin e Doc. Dr. Nita Beluli Luma, diskutimet në panel shpërfaqën histori reale dhe përvoja profesionale e prindërore, duke hedhur dritë mbi sfidat e përditshme, rëndësinë e diagnostikimit të hershëm dhe domosdoshmërinë e ndërhyrjeve profesionale për përmirësimin e cilësisë së jetës së personave me autizëm dhe sindromën Down.

Në emër të menaxhmentit të UNT-së, prorektori Prof. Inor. Dr. Fati Iseni, uroi pjesëmarrësit për këtë nismë, duke vënë theksin te ngritja e vetëdijes institucionale për grupet e margjinalizuara. Po ashtu, Dekani i Fakultetit të Shkencave Sociale, Prof. Inor. Dr. Bejtulla Emini, përshëndeti aktivitetin duke vlerësuar rolin e universitetit si vatër e edukimit dhe sensibilizimit shoqëror.

Në panelin diskutues kontribuan me ekspertizën e tyre: Znj. Brixhida Muça, drejtore e qendrës “Lumturo Dhimbjen” nga Tirana; Znj. Griselda Geci, drejtore e qendrës “Fluturo për Jetën”; Znj. Ermira Et’hemi, kryetare e “Klubit të Prindërve të fëmijëve Specialë”; Z. Afrim Bajrami, prind (i shoqëruar nga fëmija e tij); Doc. Dr. Nita Beluli Luma, psikologe klinike, si dhe Doc. Dr. Mirlinda Bilalli, profesoreshë në UNT po dhe student të programit studimor të Psikologjisë. Ata bashkërenduan diskutimet me studentët, duke ofruar perspektiva të reja mbi trajtimin e këtyre fenomeneve.

Mesazhi kryesor i këtij takimi ishte i qartë, zhvillimi njerëzor nuk është linear apo uniform. Çdo individ zotëron ritmin dhe potencialin e vet unik, ndërsa shoqëria ka detyrimin moral dhe ligjor të krijojë hapësira që e respektojnë dhe e mbështesin këtë diversitet.

Një dimension i veçantë i ngjarjes ishte angazhimi kreativ i studentëve të Psikologjisë. Ata e shndërruan aktivitetin në një përvojë gjallëruese përmes krijimit të mozaikëve simbolikë, shpërndarjes së materialeve informuese, moderimit profesional dhe shfaqjes së një videoje sensibilizuese, e cila përcolli emocione të forta tek të pranishmit.

Ky aktivitet tejkaloi kornizat e një ngjarjeje të rëndomtë, duke u shndërruar në një thirrje institucionale për më shumë ndërgjegjësim, gjithëpërfshirje dhe humanizëm në shoqërinë tonë.

By