📍Marsejë, Francë, Prill 2026 – Rektori Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup, Prof. Dr. Bekim Fetaji i shoqëruar nga prorektori Prof. Inor. Dr. Bujamin Bela morën pjesë këtë javë në një trajnim ndërkombëtar të titulluar “Nga lokalja drejt globales: Formësimi i së ardhmes së arsimit ndërkombëtar” (From Local to Global: Shaping the Future of International Education) aktivitet i organizuar nga Asociacioni i Universiteteve Frankofone TETHYS në bashkëpunim me Aleancën Akademike të Universiteteve Evropiane CIVIS, i mbajtur në Marsejë të Francës.

Gjatë një jave mjaft intensive, programi i trajnimit u ndërtua rreth dimensioneve kryesore të ndërkombëtarizimit të arsimit të lartë dhe modeleve për financim. U diskutuan, konkretisht, konceptet themelore dhe strategjitë institucionale për zhvillimin e tij, por edhe mënyrat e zbatimit praktik brenda programeve të studimit dhe jetës akademike të përditshme. 

Vëmendje e veçantë iu kushtua ndërkombëtarizimit të kurrikulave nëpërmjet partneriteteve strategjike, programeve të përbashkëta BIP dhe formateve inovative si COIL, modelet e financimit dhe programet hibride. Një nga temat që u ngrit ishte edhe koncepti i “internationalisation at home” pra integrimi i dimensionit ndërkombëtar drejtpërdrejt në përvojën e studentëve, pa pasur domosdoshmërinë e mobilitetit fizik. Ideja është, në thelb, të sjellësh botën brenda kampusit.

U diskutua gjithashtu roli i rekrutimit dhe promovimit të studentëve ndërkombëtarë, ndërtimi i strategjive të diferencuara sipas rajoneve dhe profileve të synuara, si dhe krijimi i projekteve afatgjata që garantojnë ndikim real dhe të matshëm. Projektet jo të  nxituara dhe pa vizion të qartë por ato që lënë gjurmë afatgjatë.

Nëpërmjet punëtorive interaktive, tryezave të rrumbullakëta dhe shkëmbimit të praktikave me universitete partnere nga vende të ndryshme, kjo përvojë e pasuroi ndjeshëm vizionin institucional dhe hapi dyert drejt bashkëpunimeve konkrete që mund të materializohen në muajt e ardhshëm.

By