Shkup, 27.04.2026 – Universiteti “Nënë Tereza” në Shkup dhe Instituti i Krimeve të Kryera gjatë Luftës në Kosovë – IKKL kanë zyrtarizuar sot bashkëpunimin e tyre përmes një marrëveshjeje strategjike, e cila u pasua me një ligjëratë tematike për studentët dhe stafin akademik.
Vizita nisi me një takim pune, ku prorektori për Arsim, Prof. Dr. Fati Iseni, dhe prorektori për Financa, Investime dhe Zhvillim, Prof. Inor. Dr. Bujamin Bela, mirëpritën drejtorin e IKKL-së, Dr. Atdhe Hetemi me ekipin e tij. Gjatë këtij takimi vëllazëror dhe institucional, u diskutua mbi rëndësinë e dokumentimit shkencor të fakteve historike dhe rolin që duhet të luajnë institucionet e arsimit të lartë në këtë proces.
Në emër të rektorit, stafit akademik dhe administrativ të UNT-së, ngjarjen e shpalli të hapur Prof. Dr. Fati Iseni, i cili vlerësoi lart misionin e Institutit dhe rëndësinë e këtij partneriteti për kujtesën kolektive dhe shkencën juridike.
Momenti kyç i takimit ishte nënshkrimi i Memorandumit të Bashkëpunimit, i cili parasheh angazhimin e përbashkët në projekte kërkimore-shkencore, shkëmbimin e dokumentacionit, organizimin e tryezave shkencore, si dhe ofrimin e mundësive për studentët e UNT-së që të përfshihen në hulumtime mbi drejtësinë tranzicionale dhe dokumentimin e krimeve të luftës.
Pas ceremonisë së nënshkrimit, Dr. Atdhe Hetemi mbajti para një auditori të mbushur ligjëratën e hapur me temë: “Krimet e Luftës – Pse Dokumentojmë?”. Përmes një prezantimi të detajuar, Dr. Hetemi shtjelloi domosdoshmërinë e arkivimit të fakteve, sfidat e terrenit dhe rëndësinë që ka ky proces për të ardhmen e drejtësisë në rajon.
Ky bashkëpunim shënon një hap të rëndësishëm për UNT-në në rrugëtimin e saj drejt forcimit të profileve shkencore dhe lidhjes së institucionit me procese që kanë peshë kombëtare dhe historike.
