Shkup, 24.04.2026 – Rektori i Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup, Prof. Dr. Bekim Fetaji, ishte sot i ftuar në emisionin e mëngjesit “Mikrofoni i Hapur” të Radio Shkupit, i udhëhequr nga redaktorja e programit për kulturë, arsim dhe shkencë, Znj. Valbona Zunçe Pajaziti.
Gjatë kësaj bisede radiofonike, rektori Fetaji u fokusua në promovimin e botimit të tij më të ri shkencor, librin me titull “Shkencat e të dhënave dhe mësimi makinerik me programim në Python”. Ai theksoi se ky material vjen si një nevojë imediate për t’i pajisur studentët dhe studiuesit me njohuri bashkëkohore në fushën e teknologjisë dhe inteligjencës artificiale.
Përveç aspektit shkencor, rektori Fetaji njoftoi opinionin dhe studentët potencialë mbi zhvillimin dinamik të UNT-së, infrastrukturën e re dhe mundësitë e shumta që ky institucion ofron për rritjen profesionale të të rinjve. Ai nënvizoi se UNT mbetet vatër e inovacionit, duke i ftuar maturantët të bëhen pjesë e një rrugëtimi akademik që garanton një karrierë solide dhe integritet intelektual në shoqërinë e dijes.
