Shkup, Prill 2026 – Universiteti “Nënë Tereza” në Shkup njofton studentët, stafin akademik dhe opinionin e gjerë se, në kuadër të strategjisë për rritjen e cilësisë arsimore, ka ndërmarrë hapa konkret për zbatimin e kontrollit sistematik të plagjiaturës dhe detektimin e përdorimit të Inteligjencës Artificiale. Ky proces do të jetë i obligueshëm për të gjitha punimet e diplomës së ciklit të parë (Bachelor), si dhe për tezat e magjistraturës (Master).
Ky angazhim institucional realizohet në bashkëpunim të ngushtë me mentorët, të cilët do të kenë rolin kyç në monitorimin dhe verifikimin e origjinalitetit të punimeve përmes platformave të avancuara teknologjike. Ky hap i rëndësishëm vjen si rezultat i nevojës imperative për të ruajtur integritetin kërkimor-shkencor dhe për të siguruar që çdo punim pasqyron aftësitë reale dhe punën autentike të studentit.
Përmes këtij mekanizmi, UNT synon, garantimin e meritokracisë vlerësimi i drejtë i studentëve që punojnë me përkushtim dhe origjinalitet. Mbrojtjen e etikës akademike në parandalimin e kopjimit dhe përdorimit të paautorizuar të mjeteve gjeneruese të Inteligjencës Artificiale pa referencat e duhura. Rritjen e cilësisë shkencore në ngritjen e nivelit të punimeve që mbrohen në njësitë tona akademike, duke i përafruar ato me standardet e universiteteve më të njohura ndërkombëtare.
Ftojmë studentët dhe stafin akademik që këtë nismë ta shohin si një mundësi për të rritur vlerën e titujve të tyre akademik. Angazhimi i përbashkët për një mjedis pa plagjiaturë është investimi më i mirë për të ardhmen e institucionit dhe për kredibilitetin profesional të çdo të diplomuari në Universitetin “Nënë Tereza” në Shkup.
