Shkup, 06.05.2026 – Rektori i Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup, Prof. Dr. Bekim Fetaji, dhe ministri i Vetëqeverisjes Lokale, z. Zllatko Perinski, nënshkruan sot një Memorandum Bashkëpunimi, i cili vendos një kornizë të re për ndërveprim institucional midis ministrisë dhe komunitetit akademik.
Ky akt zyrtar pason iniciativën e nisur në fund të vitit të kaluar nga Ministria e Vetëqeverisjes Lokale, me qëllim që ekspertiza akademike dhe potenciali shkencor-kërkimor të lidhen drejtpërdrejt me nevojat reale të komunave. Përmes këtij bashkëpunimi, synohet veprimi i përbashkët në fushat që janë në kompetencë të pushtetit lokal, duke ofruar zgjidhje shkencore për sfidat e qytetarëve.
Në këtë ceremoni, Ministri Perinski nënshkroi memorandume me gjashtë institucione të arsimit të lartë në Republikën e Maqedonisë së Veriut, duke e shndërruar këtë në një platformë gjithëpërfshirëse. Rektori Fetaji e vlerësoi lart këtë hap, duke theksuar se angazhimi i resurseve akademike në nivel lokal do të kontribuojë ndjeshëm në rritjen e efikasitetit të shërbimeve komunale dhe zhvillimin e qëndrueshëm rajonal.
Fushat kryesore të bashkëpunimit përfshijnë, avancimin e kapaciteteve përmes trajnimeve dhe punëtorive për zhvillimin e stafit, mbështetjen kërkimore-shkencore nga ekspertët e Universitetit për vetëqeverisjen lokale, realizimin e punës praktike për studentët e UNT-së në sektorët komunal, angazhimin në Qendrën Burimore për shkëmbimin e praktikave më të mira, si dhe partneritetin në projekte vendore e ndërkombëtare me fokus në digjitalizimin dhe modernizimin e shërbimeve publike.
Memorandumi parashikon gjithashtu mbajtjen e takimeve sipas nevojës dhe përgatitjen e analizave profesionale.
Palët nënshkruese mund të organizojnë ngjarje, konferenca dhe takime të përbashkëta me pjesëmarrjen e palëve të treta dhe organizatave ndërkombëtare, duke forcuar kështu urën lidhëse mes shkencës dhe administrimit lokal.
