Durrës/Shqipëri, Maj 2026 – Në qytetin e Durrësit u realizua me sukses “Western Balkans Cyber Camp 2026”, një aktivitet me rëndësi rajonale i dedikuar ekskluzivisht sigurisë kibernetike. Ky event mblodhi së bashku studentë premtues, përfaqësues të shquar të botës akademike dhe ekspertë të ekipeve CIRT (Cyber Incident Response Team) nga të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor.
Në mesin e përfaqësuesve nga Maqedonia e Veriut ishin edhe katër studente të Fakultetit të Shkencave të Informatikës të Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup: Alisa Shabani, Adla Limani, Kanita Reçica dhe Shqipdona Mazari, ndërsa përfaqësuese nga stafi akademik ishte Doc. Dr. Majlinda Axhiu.
Gjatë kampit, pjesëmarrësit patën mundësinë të ndjekin ligjërata dhe sesione profesionale të udhëhequra nga ekspertë të njohur ndërkombëtarë të sigurisë kibernetike, duke u njohur me trendet dhe sfidat më aktuale të kësaj fushe. Përveç pjesës teorike, studentët u angazhuan në ushtrime dhe sfida praktike në fushën e sigurisë kibernetike, duke zhvilluar aftësitë e tyre teknike dhe analitike.
Në përmbyllje të kampit, pjesëmarrësit u certifikuan për ndjekjen dhe përfundimin me sukses të aktiviteteve të programit.
Pjesëmarrja në aktivitete të tilla ndërkombëtare paraqet një mundësi të rëndësishme për avancimin profesional të studentëve dhe forcimin e bashkëpunimit akademik dhe profesional në rajon në fushën e teknologjisë dhe sigurisë kibernetike.
