Shkup, Qershor 2026 – Me rastin e shënimit të 20-vjetorit të themelimit të Odës Ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore, Universiteti “Nënë Tereza” në Shkup është nderuar me një mirënjohje të veçantë institucionale. Në këtë ceremoni festive, në emër të rektorit të UNT-së, Prof. Dr. Bekim Fetaji, mirënjohjen e pranoi prorektori Prof. Inor. Dr. Bujamin Bela.
Në këtë ngjarje të rëndësishme për komunitetin e biznesit dhe akademisë, prorektori Bela ishte i shoqëruar nga Mr. Ilir Idrizi, përfaqësues nga zyra e Qendrës për Karrierë në UNT. Ky delegacion lartësoi praninë e universitetit në këtë jubile, duke ritheksuar rolin kyç të institucionit në përgatitjen e kuadrove që i përgjigjen tregut të punës.
Kjo mirënjohje vjen si një dëshmi e fortë e bashkëpunimit të deritanishëm të suksesshëm ndërmjet Universitetit “Nënë Tereza” dhe Odës Ekonomike. Ajo pasqyron angazhimin e përbashkët të të dyja palëve për avancimin e procesit arsimor, zhvillimin e qëndrueshëm të kapitalit njerëzor, si dhe forcimin e vazhdueshëm të urave lidhëse ndërmjet botës akademike dhe asaj ekonomike.
UNT shpreh mirënjohje të thellë ndaj OEMVP-së për këtë vlerësim të lartë dhe mbetet maksimalisht i përkushtuar për thellimin e mëtejmë të partneritetit strategjik në të ardhmen, me synim rritjen ekonomike dhe progresin shoqëror në vend.
