Shkup, qershor 2026 – Universiteti “Nënë Tereza” në Shkup mirëpriti takimin përmbyllës të progresit dhe prezantimet institucionit të projektit shkencor ndërkombëtar “Ai4CUAV” (Inteligjenca Artificiale për Detektimin, Klasifikimin dhe Mbrojtjen e Infrastrukturës Kritike ndaj Fluturakeve pa Ekuipazh), i realizuar në kuadër të programit të NATO-s “Shkenca për Paqe dhe Siguri” (SPS).

Agjenda e pasur shkencore e ditës nisi me hapjen zyrtare nga rektori i UNT-së, Prof. Dr. Bekim Fetaji , dhe drejtori i Projektit për vendet e NATO-s, Dr. Alessandro Cantelli-Forti. Gjatë pjesës së parë u dëgjuan ligjërata kryesore mbi kërcënimet nga dronët dhe armatimin e tyre për qëllime terroriste nga profesorët Nikola Manev dhe Kire Babanoski. Prezantimet teknike ofruan zgjidhje të avancuara të bazuara në inteligjencën artificiale, duke përfshirë sistemet e detektimit me radar nga Dr. Amir Hosein Oveis, gjurmimin elektro-optik nga Prof. Asoc. Dr. Özge Büyükdağlı , si dhe platformat e bazuara në inteligjencën artificiale nga studiuesit Dea Kacoli, Taulant Dema dhe Veton Rushiti.

Rektori i UNT-së, Prof. Dr. Bekim Fetaji, potencoi: “Universiteti “Nënë Tereza” ka një rol të pakontestueshëm në kërkimet shkencore për sigurinë evropiane dhe transatlantike. Puna e prezantuar sot përfaqëson një gërshetim të vërtetë të mësimit makinerik, përpunimit të sinjaleve dhe mendimit të sigurisë operacionale.”

Ecuria shkencore dhe mbarëvajtja e prezantimeve të projekteve u udhëhoq me profesionalizëm të lartë nga Prof. Dr. Edmond Jajaga, duke siguruar standardet më të larta akademike të kërkuara nga programet e NATO-s.

Ngjarja bëri bashkë shkencëtarë dhe ekspertë të sigurisë nga Italia, Bosnjë e Hercegovina, Kosova, Ukraina dhe Maqedonia e Veriut për të shpalosur zgjidhjet më të reja teknologjike në mbrojtjen nga dronët.

Pas prezantimit të prototipeve në universitet, agjenda vijoi me një demonstrim kontrollues praktik në teren, në poligonin e Stenkovecit.

By