Më 6 qershor 2026, Universiteti “Nënë Tereza” në Shkup mirëpriti në Manastir, një delegacion të Universitetit të Janinës (Greqi), në kuadër të një takimi ndëruniversitar kushtuar zhvillimit të bashkëpunimit akademik dhe shkencor ndërmjet dy institucioneve.

Takimi u zhvillua në “Muzeun e Alfabetit të Gjuhës Shqipe” në Manastir, një vend me rëndësi të veçantë historike dhe kulturore për shqiptarët dhe rajonin.

Delegacioni i UNT-së përbëhej nga prorektori për Arsim, Prof. Dr. Fati Iseni, dekani i Fakultetit të Shkencave Humane, Prof. Dr. Mustafa Ibrahimi, si dhe Prof. Dr. Izer Maksuti, profesor në Degën e Gjuhës dhe Letërsisë gjermane në UNT. Universiteti i Janinës u përfaqësua nga Prof. Dr. Ioannis Zelepos, Prof. Dr. Jorgos Jakopulos, Prof. Dr. Ana Mahiraki nga fusha e historisë moderne.

Gjatë takimit u diskutuan mundësitë e bashkëpunimit në kuadër të programeve Erasmus+, shkëmbimit të studentëve dhe stafit akademik, organizimit të konferencave shkencore, shkollave verore dhe projekteve të përbashkëta kërkimore.

Pjesëmarrësit vlerësuan se ky takim përbën një hap të rëndësishëm drejt forcimit të bashkëpunimit ndëruniversitar dhe ndërtimit të një partneriteti afatgjatë ndërmjet Universitetit “Nënë Tereza”  në Shkup dhe Universitetit të Janinës.

Pas pjesës zyrtare, delegacionet vazhduan diskutimet në një atmosferë miqësore dhe konstruktive, duke shprehur gatishmërinë për konkretizimin e iniciativave të përbashkëta në të ardhmen.

By