Shkup/Tiranë, Qershor 2026 – Në kuadër të vizitave zyrtare në Republikën e Shqipërisë, rektori i Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup, Prof. Dr. Bekim Fetaji, zhvilloi një takim rëndësishëm me zëvendësministren për Evropën dhe Punët e Jashtme, znj. Vilma Premti.
Rektori Fetaji, i shoqëruar nga kryetari i Kuvendit Studentor Universitar të UNT-së, Besar Sejdiu, sekretari i Kuvendit Studentor Universitar, Jasir Memedin, si dhe Mr. Driton Zendeli, njoftuan znj. Premti dhe Sh.T. ambasadorin Mejdani mbi hapat konkretë që Universiteti “Nënë Tereza” po ndërmerr në drejtim të ndërkombëtarizimit dhe zgjerimit të bashkëpunimit akademik rajonal.
Gjatë takimit, delegacioni i UNT-së shpalosi arritjet institucionale dhe vizionin për rritjen e mobilitetit akademik, duke u fokusuar në sinkronizimin e programeve studimore me standardet evropiane, pozicionimin e universitetit si një qendër e rëndësishme arsimore në Ballkan përmes diplomacisë akademike, si dhe përfshirjen aktive të Kuvendit Studentor në projektet e ndërkombëtarizimit dhe shkëmbimit të përvojave me universitetet e Shqipërisë.
Zëvendësministrja Premti vlerësoi lart angazhimin e rektorit Fetaji dhe ekipit të tij, duke konfirmuar mbështetjen e Tiranës zyrtare për nismat që forcojnë bashkëpunimin arsimor dhe kulturor ndërmjet dy vendeve. Takimi u përmbyll me vullnetin e përbashkët për të thelluar marrëdhëniet institucionale, në funksion të rritjes së cilësisë së arsimit të lartë dhe promovimit të vlerave evropiane.
