Me rastin e 130 vjetorit të hapjes së shkollës së parë në gjuhën shqipe dhe vitin themeltar të Universitetit “Nënë Tereza”, u organizua Manifestim me temën: “Rrita e arsimit shqip në Shkup”.
Në fjalimin e tij, rektori i këtij Universiteti, Prof.Dr Azis Pollozhani në mes tjerash theksoi: “Hapja e shkollës së parë shqipe në Korçë para 130 vitesh, udha e gjatë e “Shkronjave Shqip” dhe Universiteti “Nënë Tereza” i themeluar në Shkup, janë arsye dinjitoze që këtë përvjetorë ta kujtojmë dhe të festojmë bashkë në Universitetin e ri, në kryeqytetin e Republikës së Maqedonisë – Shkup.” Për kontributin e posaçëm për themelimin e Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup, rektori Pollozhani ndau një mirënjohje për ish Ministrin e Arsimit dhe Shkencës, z. Abdilaqim Ademi.
Prof. Dr. Avzi Mustafa dhe Prof. Dr. Agim Rushiti, me prezantimet e tyre u fokusuan në aspektin historik mbi ruajtjen e kujtesës në rrugën e zhvillimit të arsimit, analizimin e arritjeve të deritanishme në sferën e arsimit shqip si dhe shqyrtimin e mundësive për zhvillimin e trashëgimisë së arsimit dhe politikave arsimore në përgjithësi, në veçanti në kryeqendrën e Republikës së Maqedonisë, Shkup.
Në manifestim ishte i pranishëm edhe Ministri i Arsimit dhe Shkencës, z. Pishtar Lutfiu, i cili në fjalën e tij përshëndetëse ju uroi 7 Marsin të gjithë profesorëve, mësuesve, pedagogeve, duke shprehur bindjen se shoqëria jonë ka një borxh të pashlyeshëm mirënjohje ndaj të gjithë atyre që sakrifikuan nga vetja e tyre për të mbrojtur vlerat e gjuhës, kulturës, historisë dhe traditat tona duke i përçuar ato brez pas brezi, dhe sado të tregojmë mirënjohje ndaj mësuesve tanë, do të mbetemi borxh përsëri.
Të pranishëm në këtë manifestim ishin edhe Ministri i Ekonomisë, z. Driton Kuçi, Ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, z. Bashkim Ameti dhe zëvendës ministri i Transportit dhe Lidhjeve, z. Faton Pollozhani.
Mysafir nderi ishte Rektori i Universitetit të Gjakovës “Fehmi Agani”, Prof. Dr. Shaban Buza, i cili e falenderoi nikoqirin e këtij manifestimi për ftesën dhe shtoi se shpreson për thellimin e bashkëpunimit me këtë institucion.
Manifestimi u përshkua nga një recital i shkruar nga studentët e katedrës së gjuhës shqipe pranë fakultetit filologjik në Shkup dhe disa pika muzikore nga orkestra kamertale e të rinjve të Tetovës, të udhëhequr nga dirigjent Agona Çupi
.