𝐒𝐡𝐤𝐮𝐩, 𝟑𝟎 𝐪𝐞𝐫𝐬𝐡𝐨𝐫 𝟐𝟎𝟐𝟏 Në një ceremoni solemne në sheshin ‘Skënderbej’ në Shkup, gjenerata e tretë e absolventëve të Universitetit ‘Nënë Tereza’ në Shkup, kurrorëzoi mundin katërvjeçar, me hedhjen e kapelave, që simbolizon mbarimin e ligjeratave në pesë fakultetet e universitetit të vetëm publik në gjuhën shqipe në kryeqytet.
Në prani të përfaqësuesve të lartë shtetërorë, diplomatëve të huaj të akredituar në Shkup, botës akademike, prindërve të studentëve, nikoqiri i këtij eventi rektori i UNT-së Prof. Dr. Aziz Pollozhani në fjalën mirëseardhësve e cilësoi këtë ditë shumë të veçantë, dëshmi më e mirë se universiteti gjatë rrugëtimit pesëvjeçar është konsoliduar dhe është në rrugë të mbarë. Pollozhani në fjalimin e tij tha se zhvillimin e vendit mund ta përshpejtojë kyçja sa më e madhe e potencialit rinor në arsimin e lartë, shkollimi i lartë në gjuhën shqipe do ta shtojë këtë potencal dhe do ta vejë në shërbim të zhvillimit më të shpejtë të gjithë shoqërisë dhe vendit.
‘Jam i sigurtë që ju me krenari do të kujtoni fillimet e këtij Universiteti kur ne dhe ju bashkë, mezi që ishim 200 frymë, 160 studentë , 30 pedagogë dhe mezi nja 7-8 administratorë të huazuar. Dhe tani që jeni në fund të studimeve tuaj, do të jeni krenar që për pesë vjet, duke tejkaluar shumicën e vështirësive, falë këmbënguljes tuaj, punës dhe sakrificës të stafit akademik dhe administrativ dhe mbështetjes së qeverisë ne sot numërojmë rreth 2 500 frymë, prej të cilëve 2300 studentë, 150 pedagogë dhe rreth 50 administratorë të zellshëm, pra dhjetë herë më shumë’, tha rektori i UNT-së Prof. Dr. Aziz Pollozhani në ceremoni, duke shprehur mirënjohje të gjithë përfaqësuesve të pushtetit qëndror dhe lokal për kontributin e dhënë në themelimin dhe zhvillimin e UNT-së.
I ftuar nderi në ceremoni ishte kryetari i Kuvendit, z.Talat Xhaferi i cili tha se ai si kryetar dhe kolegët e tij deputetë, dhanë kontributin e tyre ligjvënës dhe mbështetjen pa rezervë ‘për arsye se besonin dhe akoma janë të bindur se themelimi i vatrave të reja të dijenisë dhe me këtë edhe nxitja e frymës konkurrente mes tyre, për të arritur cilësinë gjitnjë më të lartë dhe më tërheqëse për studentët e rinj është rruga drejt majave.
Zëvendës ministri i Arsimit dhe Shkencës z.Arafat Shabani përgëzoi apsolventët për suksesin e tyre, ndërsa lavdëroi stafin akademik dhe administrativ për punën e palodhshme.
Kryetari i Komunës së Çairit z. Visar Ganiu, komunë kjo ku zhvillon studimet pjesa më e madhe e studentëve tha se ashtu siç kanë përkrahur UNT-në deri tani, duke u lëshuar hapësira për studim dhe salla sporti pa pagesë, do të vazhdon të përcjell rritjen e UNT-së me mbështetje të gjithëanshme.
UNT gjatë kësaj ceremonie shpalli dhe 5 stutentët më të dalluar të gjeneratë, nga pesë fakultetet e tij Fisnik Nuhi, Endrina Fejzuli, Emel Aliu, Rilind Kaba dhe Besa Xhoni, e cila përveç studente më e mirë në fakultetin e saj, u zgjodh edhe më e mira e gjeneratës.
Ceremonia e sotme e hedhjes së kapelave, për UNT-në paraqet një event shumë të veçantë sepse përkon me një jubile të vogel por shumë të rëndëshëm 5 -vjetorin e themelimit në vitin 2016, dhe që nga atëherë është zhvilluar dhe pasuruar me programe të shumta studimore, nën udhëheqjen e rektorit Aziz Pollozhani.
Numri i studentëve të Fakultetit të Ndërtimtarisë dhe Arkitekturës, të Fakultetit Shkencave të Informatikës, Fakultetit të Shkencave Teknike, Fakultetit të Shkencave Teknologjike dhe Fakultetit të Shkencave Sociale, nga viti 2016 kur u rregjistruan ofro 200 studentë, është rritur në mbi 2300, që flet për interes në rritje për studime në UNT, duke krijuar hapësirë për forcimin e objektivave të Universitetit “Nënë Tereza ” në Shkup.
Pjesëmarrës në ceremoni ishin kryetari i BDI-së z.Ali Ahmeti, ministri i Financave Fatmir Besimi, Ministri i transportit Boçvarski, Zv/kyeministri dhe ministër i Sistemit politik Artan Grubi, zv/ministri i Punëve të Brendshme Nazim Bushi, drejtori i AZGJ-së Ylber Sela dhe funksionarë tjerë.