Shkup 17.11.2022 – Universiteti “Nënë Tereza” në Shkup sot organizoi promovimin e librit të radhës të Prof. dr. Enver Abdullahit “Në kërkim të vetes sociologjike në veprat e Eruing Goffmanit”.
Libri u promovua në hapësirat e UNT-së në vazhdën e shënimit të festave të Nëntorit, ndërsa në promovim morën pjesë udhëheqësia e UNT-së, profesorë si dhe mysafirë nga ministritë e Arsimit dhe Shkencës si dhe nga ajo e kulturës.
Recensentët e librit “Në kërkim të vetes sociologjike në veprat e Eruing Goffmanit” sociologët Prof.dr. Sunaj Raimi dhe Doc.dr. Murat Aliu, trajtimin e kësaj teme nga ana e profesor Abdullait e quajtën një hap të guximshëm.
‘Në këtë libër me mjeshtri dhe sens të madh arrihet të interpretohet filozofia e sintagmës socio-semantike të cilën Kivisto dhe Pittman e quajtën si sociologjia dramaturgjike e Goffmanit’ tha recenzenti Sunaj Raimi.
Recensenti Murat Aliu e vlerësoi veprën si tentativë të suksesesshëm në prezantimin e hulumtimit atipik dhe tepër imagjinativo-refleksiv të veprimtarisë së Goffmanit. Kjo vepër tha ai lexuesit shqiptar i ofron një mundësi të rrallë për studiuesit e shkencave sociale për të aplikuar medotën e Goffmanit në hulumtimet dhe studimet e tyre.
Rektori Prof.Dr. Izet Zeqiri ne fjalën e tij përshëndetëse tha se autorin e njef nga koha e studimeve dhe se qasja e tij sociologjike në trajtimin e problemeve shoqërore gjithmonë ka qenë e veçantë dhe unike. Ai përgëzoi atë për këtë analizë të guximshme dhe apeloi që studentët ta lexojnë këtë vepër që do tu mundëson shikimin e jetës nga një kënd tjetër.
Autori i librit “Në kërkim të vetes sociologjike në veprat e Eruing Goffmanit” Prof. dr. Enver Abdullahit tha se për të filluar këtë libër, ku ka paraqitur një përshkrim, shpjegim dhe vlerësim kritik ndaj një prej sociologët më të mëdhenj amerikan Erving Goffman është motivuar para tre viteve. Libri është i pari i këtij lloji në gjuhën shqipe dhe si një dishepull i sociologjisë është ballafaquar me vështirësi në shqipërimin e terminologjisë.
Vepra “Në kërkim të vetes sociologjike në veprat e Eruing Goffmanit” e Prof. dr. Enver Abdullahit, është e katërta me radhë që UNT e promovon në kuadër të shënimit të muajit festiv të nëntorit shqiptar.