UNIVERSITETI “NËNA TEREZA” NË SHKUP DHE UNIVERSITETI “UKSHIN HOTI” PRIZREN NËNSHKRUAN MEMORANDUM BASHKËPUNIMI PËR ARSIM DHE SHKENCË

Kosovë/Prizren, 18.11.2022 – Duke patur synimin për të forcuar bashkëpunimin në fushën e shkencës, teknologjisë dhe arsimit, Universiteti “Nëna Tereza” në Shkup i përfaqësuar nga rektori Prof. Dr. Izet Zeqiri nënshkruan memorandum bashkëpunimi për arsim dhe shkencë me Universitetin “Ukshin Hoti” në Prizren kryesuar nga rektori Prof. Asoc. Dr. Samedin Krrabaj.

Ky memorandum bashkëpunimi ka për qëllim krijimin e kornizës për bashkëpunim në fushën e shkencës, teknologjisë dhe arsimit, përpjekjet për t’iu përgjigjur sfidave globale dhe rajonale përmes përvojës së përbashkët dhe kapaciteteve plotësuese po edhe gjenerimin dhe ndarjen e njohurive të reja dhe zhvillimin e produkteve dhe shërbimeve inovative.

Rektori i Zeqiri, shprehi falënderim në emër të UNT-së rektorit të Universitetit “Ukshin Hoti”, Prof. Asoc. Dr. Samedin Krrabaj duke i dhuruar logon zyrtare të tempullit tonë shkencor në shenjë mirënjohje dhe afrimi mes dy universiteteve.

Bashkëpunimi ndërmjet dy universiteteve do të zhvillohet në fushat e filologjisë, shkencave kompjuterike, juridike, agrobiznesit, shkencat e mjedisit si dhe ekonomike. Gjithashtu mekanizmat dhe format e bashkëpunimit do të jenë edhe në udhëzime të përbashkëta shkencore për studentët e MSc dhe PhD, në organizimin e punëtorive praktike, simpoziumeve dhe konferencave bazuar në interesin e përbashkët në fushën e shkencës, teknologjisë dhe arsimit si dhe zhvillimin dhe zbatimin e programeve të përbashkëta arsimore, marrëveshjeve të dyfishta dhe projekteve shkencore dhe kërkimore.