Shkup, 02.02.2023 Një takim shumë frytëdhënës ka realizuar sot në Shtabin e Përgjithshëm të Armatës së Maqedonisë së Veriut, rektori i Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup Prof. dr. Izet Zeqiri, me shefin e Shtabit të Përgjithshëm Gjeneral nënkolonel Vasko Gjurçinovski.
Gjatë takimit të punës rektori Zeqiri dhe kryeshefi Gjurçinovksi u dakorduan për realizimin e të gjitha detajeve teknike, me qëllim të realizimit të papengueshëm të punimeve për rekonstruimin e objekteve në tokën e UNT-së të transformuar për nevojat e saj në kazermen “Ilinden”, parcelë kjo prej 50 mijë metrash katrorë, të cilën qeveria ia dha në pronësi universitetit tonë.
Rektori Zeqiri sapo morri detyrën e re vitin e kaluar filloi punimet tek hapësirat e reja të UNT-së në kazermën Ilinden në Shkup, një moment, ky i shumëpritur nga të gjithë të punësuarit dhe studentët. Për momentin janë rënuar tre objekte të stërvjetëruara, ndërsa po bëhet renovimi i tërësishëm i objektit trekatësh prej 3000 metrash katrorë, që do ti paraprijë ndërtimit të kampusit të ri.