Shkup, 02.02.2023 Universiteti “Nënë Tereza” në Shkup sot nënshkroi marrëveshje bashkëpunimi me Universitetin“Shën Qirili dhe Metodi”, me qëllim të përcaktimit dhe nxitjes së zhvillimit të arsimit të lartë, përkatësisht veprimtarive mësimore-arsimore, kërkimore dhe aplikative.
Dy nënshkruesit e marrëveshjes rektori i UNT-së Prof.dr. Izet Zeqiri dhe rektori i USHQM-së Prof. dr. Nikolla Jankullovski u zotuan për ngritjen e nivelit të bashkëpunimit të ndërsjellë, përmes angazhimit të përbashkët për realizimin dhe forcimin e arritjeve në arsimin e lartë dhe shkencë, me qëllim të zhvillimit shoqëror.
Dy universitetet do të realizojnë aktivitete që janë me interes shoqëror dhe të përbashkët, përmes shfrytëzimit të burimeve të përbashkëta kërkimore shkencore, materialo-teknike, profesionale dhe njerëzore, thuhet në marrëveshvjen për bashkëpunim.
Universiteti “Nënë Tereza” në Shkup dhe Universiteti “Shën Qirili dhe Metodi”, janë dakorduar të krijojnë shkëmbim të vazhdueshëm përvojash, njohurish, të dhënash dhe informacionesh në drejtim të realizimit të qëllimit të bashkëpunimit, dhe atë nëpërmjet organizimit të programeve të përbashkëta të studimit dhe mobilitet të studentëve, organizimin e seminareve, konferencave dhe punëtorive të përbashkëta, të zhvillojnë veprimtari kërkimore-shkencore, planifikimin e projekteve të përbashkëta, aplikimin, realizimin, përkatësisht kërkimin dhe menaxhimin e projekteve, dhe bashëpunime tjera në fusha ku paraqitet interes i dyanshëm.
Realizimi i aktiviteteve në lidhje me këtë Memorandum do të zhvillohet me marrëveshje të veçanta ndërmjet fakulteteve përkatëse dhe njësive të tjera në përbërje të palëve nënshkruese, me pëlqimin e rektorëve të dy universiteteve. UNT që nga themelimi ka nënshkruar memorandume bashkëpunimi me mbi 60 institucione të arsimit të lartë nga vendi, rajoni dhe bota.