Shkup, 29.07.2023 Rektori i Universitetit ‘Nënë Tereza’ në Shkup, Prof.dr. Izet Zeqiri hapi ekspozitën e tretë individuale të mozaikëve, dhe të parën dedikuar jetës dhe veprimtarisë së pasur jetësore të shkupjanes Gonxhe Bojaxhiu, Nënë Tereza. Ekspozita që u hap në Kampusin e ri të Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup përfshin 22 vepra arti të realizuara në mozaik dhe mban titullin “Nënë Tereza nga Shkupi në Kalkutë”, ndërsa autori ia ka dedikuar veprimtarisë jetësore humanistes shkupjane Gonxhe Bojaxhiu, e cila me punën e saj arriti të bëhet shqiptarja më e famshme në botë.
Vlerësim për krijimtarinë e akademik Zeqirit elaboroi profesoresha e artit Jëlldës Asani, e cila tha se puna e Izet Zeqirit është tregues i seriozitetit, disciplinës, përpjekjeve edhe përkundër angazhimeve të shumta si rektor i Universitetit “Nënë Tereza”, duke dëshmuar njëherësh se kreativiteti shpirtëror është i pandashëm nga jeta e tij. ‘Figura e Nënë Terezës ka frymëzuar shumë krijues nga vendi dhe bota, duke u bërë objekt trajtimi i shtypit të përditshëm, letërsisë, pullave postare dhe mediumeve të ndryshme artistike pamore siç janë: piktura, skulptura, fotografia’, tha Asani, duke shtuar se ‘Virtytet, cilësitë e shpirtit, urtësia dashuria e një gruaje shqiptare që përmes sakrificave rrezatojnë një madhështi dhe fuqi hyjnore pasqyrohen edhe më mirë në mozaikët të Izet Zeqirit’.
‘Në portretet e saj transponohet urtësia njerëzore, thellësia psikologjike, mëshirimi hyjnor dhe buzëqeshja e saj e ngrohtë dhe e lehtë, nxjerrin në pah imazhe lehtësisht të identifikueshëm të saj, ndërsa, pikërisht, teknika e mozaikut i mundëson autorit në fjalë një artikulim të sigurt të elementeve të përceptimit dhe kujtesës, duke e sintetizuar përmes një qasjeje origjinale e cila buron nga inspirimi i sinqert i Izet Zeqirit’ tha profesoresha e artit Jëlldës Asani.
Fjalë rasti mbi veprat e Zeqirit zhvilloi edhe Akademik Gazafer Bajram nga ASHAM, i cili tha se dashuria e profesor Izet Zeqirit për artin e mozaikut mahnit shumë, ndërsa numri i veprave të krijuara me aq dashuri dhe pasion është motivues.
Autori i ekspozitës, rektori Izet Zeqiri u falënderua të gjithëve për pjesëmarrjen dhe vlerësoi punimet si një borxh që shqiptarët në përgjithësi dhe ai në veçanti, ka ndaj Nënë Terezës. Në ekpozitën e tretë me radhë të akadenmik Zeqirit morrën pjesë një numër i madh i artdashësve nga Shkupi, Tetova dhe Prishtina, nga sfera të ndryshme të veprimtarive.Ekspozita “Nënë Tereza nga Shkupi në Kalkutë” u përmbyll me thënien e Nënë Terezës ‘Nuk ka rëndësi sa shumë jemi të angazhuar të bëjmë, por sa shumë dashuri vendosim në të’.