Shkup, 26.10.2023 – Universiteti “Nënë Tereza” në Shkup në bashkëpunim me Institutin ‘Alternativa Liberale’ si dhe në përkrahje të Economics Fundamentals Initiative nga SHBA-ja u realizua me sukses panel diskutimi me temë: “Fuqizimi i të rinjve përmes edukimit ekonomik” pranë studentëve, pedagogëve dhe mysafirëve nga institucionet tjera.
Në këtë panel diskutim panelistët, Prof.dr. Izet Zeqiri, Doc.dr. Bujamin Bela, Prof.inor.dr. Bukurie Imeri Jusufi, z. Arben Halili nga OEMVP dhe Prof.inor.dr. Neritan Turkeshi para auditoriumit dhanë dëshmi faktografike nga hulumtimet e tyre shkencore atë të kohës dhe empirike nga problemet dhe zgjidhjet e së ardhmes për të rinjtë atë të sektorit publik, privat dhe jo vetëm.
Rektori i UNT-së, Prof.dr. Izet Zeqiri falënderoi bashkëorganizatorin për këtë bashkëpunim të ndërsjellët si dhe në pika të shkurta elaboroi mbi temën “Edukimi ekonomik: Shkathtësia e nevojshme e shekullit 21” ku vëmendje të veçantë i dha sfidave të menaxhmentit mbi rolin dhe fuqizimin e të rinjve përmes edukimit ekonomik. Rektori Zeqiri vëmendje iu përkushtoi edhe sfidave të menaxhimit dhe sukseset të biznesit, ku mes tjerash nga elaborimet teorike deri në atë praktike para të pranishmëve elaboroi shembuj kreativ dhe shumë domethënëse.
Prorektori për Financa, Investime dhe Zhvillim Doc.dr. Bujamin Bela në kuadër të panel diskutimit mes tjerash tha se “karakteristikë e përbashkët e gjeneratave të reja është arsimim i lartë, pritshmëri të larta, pakënaqësi, hulumtues dhe krahasues që detyron kompanitë të ruajnë një ekuilibër ndërmjet punës dhe jetës në përgjithësi. Proceset sociale, ekonomike dhe teknologjike në botë ndikojnë fuqishëm në programet e menaxhimit të burimeve njerëzore duke rritur rëndësinë e ekipeve të punës, rritjen e numrit të punëtorëve të përkohshëm dhe part-time ose fleksibël, rritja e diversitetit kulturor të punonjësve, rritja e proceseve të bashkimeve dhe blerjeve të kompanive – fuzionimet, zhvillimi revolucionar i teknologjive, ristrukturimi organizativ duke zvogëluar numrin e niveleve hierarkike, ndryshimet demografike dhe globalizimi ekonomik.” – tha prorektori Bela.
Dekani i Fakultetit të Shkencave Teknike Prof.inor.dr. Neritan Turkeshi gjatë diskutimit në panel potencoi se ‘për shkak të ndikimeve të ndryshme dhe komplekse të inflacionit në rritjen ekonomike, është e rëndësishme që qeveritë dhe bankat qendrore të ndjekin dhe të menaxhojnë me kujdes nivelin e inflacionit për të arritur një qëllim të qëndrueshëm të rritjes ekonomike. Një ekuilibër i kujdesshëm ndërmjet inflacionit dhe rritjes ekonomike është i rëndësishëm për shëndetin e përgjithshëm të ekonomisë.’ – tha Turkeshi
Dekani Turkeshi fuqizimin e rinisë e shef përmes edukimit ekonomik si një përpjekje e rëndësishme për të përgatitur të rinjtë për të menaxhuar me sukses financat e tyre dhe për të bërë zgjedhje të mençura financiare në të ardhmen.
Zëvendës kryetari i Bordit mbikqyrës në Odën Ekonomike të Maqedonisë Veri-Perëndimore (OEMVP) z. Arben Halili potencoi se ‘bashkëpunimi i universiteteve është mëse i nevojshëm për të krijuar një gjeneratë të re të kuadrit profesional, dhe që në kohën e studimeve në kurikulat do ketë të përfshira në vete njohuritë teorike të gërshetuara me përvojën praktike. Që kjo të ndodh, duhet që në fazën e hershme, nga shkolla e mesme të kemi një lëndë ekonomiksi në çdo shkollë. Dhe së dyti na duhet reformë themelore në sistemin arsimor. Të paktën në vitin e tretë dhe të katërt të studimeve të kemi më shumë praktike se teori, ashtu do përgaditej në masën e duhur kuadri i ri për tregun e punës.’ tha Zv/kryetari i Bordit mbikqyrës të OEMVP- së z. Arben Halili
Në pjesën hyrëse nga Prof.inor.dr. Bukurie Imeri – Jusufi u diskutua për ndikimin që ka arsimin në rritjen e vendit, si dhe mekanizmat përmes të cilëve arsimi mund të ndikojë në rritje ekonomike. Duke pasur parasysh se Qeveria ka të përgatitur Strategji për të rinjtë, nga hulumtimi i realizuar me grup mosha nga 15-29 vjeçare u arrit në përfundim se të rinjtë nuk janë të informuar rreth 55% nga të anketuarit mbi këto strategji. Po ashtu u fol edhe mbi kushtet që u ofrohen të rinjve për të filluar një biznes të tyre dhe cilat janë arsyet për këto iniciativa të ndërmarra dhe njëkohësisht u identifikuan disa nga faktorët ndikues për migrimin e lartë të moshave të reja dhe përshtatjen e tyre me tregun e punës në vendet e Evropës.
Paneli i diskutimit i përbërë nga eminent të fushës kishte për qëllim të nxisë debatin mbi rëndësinë e edukimit ekonomik drejt fuqizimit të të rinjve qofshin ato nxënës të shkollave të mesme por edhe studentë nga fusha jo-ekonomike. Një i ri i edukuar ekonomikisht, ka të ngjarë të jetë më aktiv në jetë shoqërore, të kuptoj më mirë ngjarjet ekonomike që impaktojnë jetën e përditshme duke e bërë atë qytetarë më të ndërgjegjshëm.