Shkup, 12.12.2024 – Universiteti “Nënë Tereza” në Shkup përmbylli me sukses Edicionin e 8-të të Konferencës Ndërkombëtare për Migracionin, një platformë e rëndësishme për të trajtuar çështjet globale të migracionit. Ky aktivitet u zhvillua në bashkëpunim me universitete dhe institucione prestigjioze nga vendi dhe jashtë edhe atë: Universiteti i Sassarit nga Italia, Universiteti Ndërkombëtar Burçit, Sarajeva, Universiteti North-Eastern Hill, India, Universiteti “Aleksandër Moisiu” nga Shqipëri, Universiteti Epoka nga Republika e Kosovës, Universiteti Ndërkombëtar Amerikan nga Bangladeshi si dhe Legis nga Maqedonia e Veriut.
Edicioni i 8-të i Konferencës Ndërkombëtare për Migracionin u moderua nga Doc. Dr. Arta Xhelil, ndërsa konferencën e bëri të hapur dekaneja e Fakultetit të Shkencave Sociale njëherit kryesuese e kësaj konference, Prof.Inor.dr. Diturije Ismaili.
Në fjalën përshëndetëse përballë auditorit rektori i UNT-së, Prof.dr. Izet Zeqiri tha se: “Universiteti “Nënë Tereza” në Shkup është krenar që është pjesë e këtij rrjeti të rëndësishëm akademik dhe se përmes kësaj konference ne po kontribuojmë në avancimin e dijes dhe ndërgjegjësimit mbi çështjet e migracionit.”
Rektori Zeqiri falënderoi organizatorët, partnerët, folësit dhe pjesëmarrësit për përkushtimin dhe kontributin e tyre të çmuar. Ai theksoi se “potenciali demografik i një vendi është parakusht kryesor për zhvillimin dhe hartimin e çdo politike dhe projektimi të ardhshëm ekonomik, politik, arsimor, shëndetësor dhe për zhvillime të tjera të ngjashme.” Rektori mes tjerash potencoi se: “Duke krahasuar me fillimin e mijëvjeçarit të ri, numri i migrantëve në botë është rritur për 122 milionë, duke përfaqësuar 0.7 për qind të popullsisë së botës.”
Në këtë edicion të konferencës, fjalë përshëndetëse mbajtën Sekretari Shtetëror nga Ministria e Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë, z. Fatmir Sabriu; ish rektori i Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup, Prof. Dr. Aziz Pollozhani; dhe ish prorektori për marrëdhënie ndërkombëtare dhe udhëheqës i Konferencës për Migracion në UNT, Prof. Dr. Rizvan Sulejmani. Në shenjë mirënjohjeje për kontributin e tyre në ngritjen dhe mbështetjen e kësaj konference ndërkombëtare që nga fillimi, komiteti organizativ ndau certifikata mirënjohjeje për ta.
Dekaneja e Fakultetit të Shkencave Sociale, Prof.Inor.dr. Diturije Ismaili gjithashtu ndau mirënjohjeje edhe për znj. Mimoza Dushi, profesoreshë në Universitetin “Hasan Prishtina” në Kosovë, e cila prezantoi punimin e saj shkencor, si dhe znj. Vanja Lazaridis nga Organizata Ndërkombëtare për Migracionin.
Konferenca ishte e ndarë në dy sesione kryesore:
– Sesioni i parë u moderua nga profesorët Elisabeta Bajrami Ollogu dhe Avni Avdiu, ku u trajtuan tema si migrimi i popullsisë, pasojat demografike, dhe ndikimet sociale të migracionit në Ballkan.
– Sesioni i dytë u drejtua nga profesoreshat Drenusha Kamberi dhe Prof. Hava Rexhep, duke trajtuar studime ndërkombëtare për çështje si migrimi i nxitur nga ndryshimet klimatike, politika sociale, dhe roli i teknologjisë në format e reja të migrimit.
Konferenca e 8-të Ndërkombëtare për Migracionin shërbeu si një pikë e rëndësishme shkëmbimi idesh dhe ekspertizash, duke i dhënë UNT-së një rol kyç në rrjetin global akademik. Në të ardhmen, Universiteti “Nënë Tereza” synon të zhvillojë më tej këtë iniciativë, duke zgjeruar bashkëpunimin dhe duke kontribuar në mënyrë aktive në studimet mbi migracionin dhe zhvillimin e qëndrueshëm.
UNT mbetet një qendër e rëndësishme për hulumtime dhe shkëmbime akademike në nivel ndërkombëtar.