Shkup, 22.09.2025 – Universiteti “Nënë Tereza” në Shkup ka kënaqësinë të njoftojë se ideja “Krem piling nga biombeturinat e kafesë – EcoScrub” është shpallur fituese në kategorinë e ideve embrionale në konkursin kombëtar “Green Ideas 2025”, ku konkuruan gjithsej 39 ide inovative.

Ekipi fitues i Fakultetit të Shkencave Teknologjike përbëhet nga Doc. Dr. Zimere Saiti Musliji, Doc. Dr. Drita Abazi dhe Prof. Inor. Dr. Sani Demiri, të cilët për vite me radhë kanë zhvilluar analiza dhe hulumtime në fushën e qëndrueshmërisë dhe ripërdorimit të biombeturinave. Rezultatet e këtyre hulumtimeve janë publikuar në punime shkencore dhe kanë shërbyer si bazë për këtë ide inovative.

“Kur bashkon rezultatet e hulumtimeve laboratorike me praktikën, del rezultati i duhur”, thekson ekipi fitues, duke nënvizuar rëndësinë e lidhjes mes kërkimit shkencor, inovacionit dhe aplikimit praktik.

Ky sukses përbën dëshmi të përkushtimit të stafit akademik të UNT-së për zhvillimin e zgjidhjeve të qëndrueshme, që kontribuojnë në mbrojtjen e mjedisit, promovimin e ekonomisë qarkore dhe krijimin e vlerave të reja për shoqërinë.

Si fitues të këtij konkursi, ekipi do ta përfaqësojë Maqedoninë e Veriut në garën rajonale “Green Ideas 2025”.

UNT i uron ekipit fitues suksese të mëtejshme në këtë rrugëtim.

By