Shkup, 02.02.2026 – Rektori i Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup, Prof. Dr. Bekim Fetaji, priti sot në një takim pune u.d. kryetarin e Odës Ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore, z. Nuhi Aliu.

Në këtë takim, rektori Fetaji ishte i shoqëruar nga ekipi i prorektorëve, Prof. Inor. Dr. Bujamin Bela, Prof. Inor. Dr. Diturije Ismaili dhe Prof. Inor. Dr. Fati Iseni, ndërkaq, z. Aliu shoqërohej nga drejtori Ekzekutiv i OEMVP-së, z. Durim Zekiri të cilët gjatë takimit zhvilluan një bashkëbisedim konstruktiv mbi nevojën e ndërlidhjes së drejtpërdrejtë të arsimit të lartë me kërkesat e sektorit të biznesit.

Palët u dakorduan për krijimin e grupeve të përbashkëta punuese në nivel institucional, me qëllim që në të tetë fakultetet e UNT-së të realizohet integrimi i OEMVP-së në kurikulat e reja dhe të përfshihet më thelbësisht puna praktike e studentëve konform profileve të tyre studimore.

Ky bashkëpunim do të mundësojë realizimin e praktikave profesionale në kompanitë anëtare të OEMVP-së, organizimin e Panaireve të Biznesit dhe “Ditëve të Inovacionit” për nxitjen e sipërmarrjes, si dhe shfrytëzimin e kërkimeve dhe punimeve shkencore të studentëve të ciklit të dytë (Master) si zgjidhje praktike për sfidat reale të industrisë.

Ky takim mes UNT-së dhe OEMVP-së, ka edhe për qëllim për të krijuar një sinergji ku dija akademike dhe praktika ekonomike bashkohen për të prodhuar kuadro cilësore që do të jenë bartës të zhvillimit ekonomik në vend.

By