Në kuadër të lëndëve të këtij semestri, studentët e Departamentit të Punës dhe Politikës Sociale të Fakultetit të Shkencave Sociale në Universitetin “Nënë Tereza” në Shkup po realizojnë një seri vizitash studimore në institucione dhe organizata që ofrojnë shërbime sociale në vend. Këto vizita organizohen nën udhëheqjen e profesorëve të departamentit, Doc. Dr. Elisabeta Bajrami Ollogu dhe Prof. Inor. Dr. Hava Rexhep, me qëllim lidhjen e njohurive teorike me praktikën profesionale.

Studentët zhvilluan një vizitë në qendrën për fëmijë me nevoja të veçanta “Dua Ylberin”, ku patën mundësinë të njihen nga afër me shërbimet që ofrohen, qasjen profesionale ndaj fëmijëve, si dhe sfidat dhe nevojat në këtë fushë të ndjeshme të punës sociale. Gjatë vizitës, ata u informuan për praktikat e përditshme të punës, rëndësinë e qasjes multidisiplinare dhe rolin e profesionistëve në mbështetjen e zhvillimit dhe mirëqenies së fëmijëve.

Këto përvoja praktike janë thelbësore për përgatitjen profesionale të studentëve, duke kontribuar në zhvillimin e aftësive të tyre analitike, empatisë dhe kompetencave për punë në terren.

Në javët në vijim, studentët do të realizojnë edhe vizita të tjera studimore në institucione dhe organizata të ndryshme, duke zgjeruar më tej njohuritë dhe përvojat e tyre në fushën e punës dhe politikës sociale.

Departamenti mbetet i përkushtuar në ofrimin e një arsimi cilësor dhe të orientuar drejt praktikës, duke i përgatitur studentët për sfidat reale të profesionit.

By