Shkup, 26.05.2026 – Universiteti “Nënë Tereza” në Shkup, i përfaqësuar nga rektori, Prof. Dr. Bekim Fetaji, dhe QShP “Qendra për Shëndet Publik” në Shkup, e përfaqësuar nga drejtori, z. Muamed Demiri, kanë nënshkruar Memorandum Bashkëpunimi me qëllim avancimin e procesit edukativo-arsimor dhe kërkimor-shkencor.

Në këtë takim zyrtar të nënshkrimit të marrëveshjes, rektori Fetaji ishte i shoqëruar nga prorektorët e UNT-së, Prof. Inor. Dr. Diturije Ismaili dhe Prof. Inor. Dr. Bujamin Bela. Ky partneritet strategjik do tu mundësojë studentëve të UNT-së realizimin e mësimit praktik profesional në kuadër të Qendrës për Shëndet Publik, duke ndihmuar në aftësimin e tyre praktik dhe rritjen e konkurrencës në tregun e punës.

Kjo shtyllë e bashkëpunimit do të realizohet përmes organizimit të mësimit praktik për studentët sipas nevojave të procesit mësimor , si dhe përmes realizimit të kërkimeve shkencore të përbashkëta në lëmin e shëndetësisë dhe mbrojtjes sociale. Për më tepër, partneriteti parasheh organizimin e ngjarjeve edukative si trajnime të specializuara, punëtori dhe simpoziume , duke mundësuar njëkohësisht shkëmbimin e përvojave përmes pjesëmarrjes së ndërsjellë të ekspertëve në ligjërata dhe panele diskutimi.

Gjatë nënshkrimit, palët u zotuan se ky memorandum do të shërbejë si një kornizë afatgjatë për gjenerimin e analizave shkencore dhe edukimin e kuadrove të reja , duke garantuar njëkohësisht mbrojtjen e plotë të të dhënave personale të studentëve. Përmes këtij hapi, UNT rikonfirmon përkushtimin për lidhjen e fortë të teorisë akademike me praktikat shëndetësore institucionale.

By