Shkup, 26.08.2026 – Sot, nën organizimin e përbashkët të Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup dhe Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve, u realizua me sukses manifestimi akademik dhe kulturor me moton “Kujtojmë Gonxhen tonë dhe Terezën e mbarë botës”, i kushtuar 116-vjetorit të lindjes dhe 10-vjetorit të shenjtërimit të humanistes sonë të madhe, Nënë Terezës. 

Aktivitetet përkujtimore nisën me vendosjen e kurorave me lule të freskëta te pllaka përkujtimore e Gonxhe Bojaxhiut në sheshin “Maqedonia” në Shkup, si dhe me realizimin e një fotografie të përbashkët përkujtimore pranë bustit të saj te Shtëpia Përkujtimore e Nënë Terezës. 

Më tej, programi solemn vazhdoi në ambientet e Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup. Sessioni akademik e moderuar nga Doc. Dr. Laura Papraniku Bejtullau, e cila i urovi mirëseardhjen drejtuesve, profesorëve dhe të pranishmëve të tjerë. 

Me fjalë përshëndetëse dhe mesazhe vlerësuese për figurën të Nënë Terezës iu drejtuan të pranishmëve rektori i UNT-së, Prof. Dr. Bekim Fetaji, si dhe drejtori i ITSHKSH-së, Prof. Dr. Besnik Emini. Të dy drejtuesit përcollën rëndësinë e ruajtjes dhe promovimit të trashëgimisë shpirtërore, humanitare e kombëtare që la pas Nënë Tereza. 

Në pjesën qendrore të aktivitetit, biografi i mirënjohur i Nënë Terezës, Don Lush Gjergji, mbajti një fjalë rasti mjaft prekëse mbi jetën dhe veprën e saj. Ndërkaq, kuadri akademik paraqiti dy referate shkencore me vlerë të veçantë edhe atë nga Prof. Dr. Mustafa Ibrahimi i cili ligjëroi mbi temën “Nënë Tereza në filatelinë botërore”, ndërsa Prof. Dr. Teuta Agai Demjaha paraqiti temën “Nënë Tereza dhe Kombet e Bashkuara”. 

Manifestimi u përmbyll me një diskutim të hapur, ku u theksua se figura e Gonxhe Bojaxhiut mbetet një udhërrëfyes i përhershëm i solidaritetit, dijes dhe njerëzores për gjeneratat e reja akademike.

Universiteti “Nënë Tereza” në Shkup mban me krenari të thellë emrin e Gonxhe Bojaxhiut, simbolit botëror të dashurisë dhe vetëmohimit. Përmes dijes, shkencës dhe arsimimit, komuniteti ynë akademik përpiqet çdo ditë të jetësojë dhe të çojë përpara trashëgiminë e saj të çmuar shpirtërore e njerëzore.

By