Shkup, 10.11.2026 – Sot, në kabinetin e punës, rektori i Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup, Prof. Dr. Bekim Fetaji, mirëpriti në një takim zyrtar Ambasadorin e Republikës së Italisë në Shkup, Shkëlqesinë e Tij, Z. Paolo Palminteri, me të cilin diskutuan mbi mundësitë e zgjerimit të bashkëpunimit akademik, shkencor dhe kulturor ndërmjet UNT-së dhe institucioneve të arsimit të lartë në Itali.
Gjatë këtij takimi, rektori Fetaji foli për arritjet e fundit të Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup, dinamikën e zhvillimit të programeve studimore, si dhe përkushtimin e institucionit drejt ndërkombëtarizimit, me fokus të veçantë në krijimin e partneriteteve strategjike me universitetet europiane. Rektori theksoi rëndësinë e shkëmbimit të stafit akademik dhe studentëve, si dhe realizimin e projekteve të përbashkëta kërkimore-shkencore me mbështetjen e diplomacisë kulturore e akademike italiane.
Në këtë takim zyrtar, rektori Fetaji ishte i shoqëruar nga prorektorët, Prof. Dr. Fati Iseni, Prof. Dr. Diturije Ismaili, si dhe Prof. Inor. Dr. Bujamin Bela. Ndërkaq, ambasadori Sh.T. Paolo Palminteri shoqërohej nga z. Fadlon Meismi.
Nga ana e tij, ambasadori Palminteri vlerësoi lart rolin dhe kontributin e UNT-së në zhvillimin e arsimit të lartë dhe shprehu gatishmërinë e plotë të Ambasadës së Italisë në RMV për të mbështetur nisma konkrete që forcojnë urat e bashkëpunimit arsimor e kulturor ndërmjet të dyja vendeve.
